Rreth 60 raketa interceptuese për sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot, të cilat SHBA-ja kishte rënë dakord t’ia jepte Ukrainës, ende nuk janë miratuar për dorëzim nga Pentagoni, pavarësisht se janë financuar nga aleatët perëndimorë të Kievit, raporton Financial Times.
Sipas gazetës, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ende nuk ka miratuar autorizimin për dorëzimin e raketave, disa nga arsenalet evropiane.
Paketa përfshin raketa PAC-3, të cilat janë ndër mjetet më efektive të Ukrainës kundër raketave balistike ruse, si dhe rreth 20 raketa të modelit më të vjetër PAC-2. Katër dërgesat e planifikuara nga shtatori deri në dhjetor, sipas zyrtarëve ukrainas, ende nuk kanë marrë miratimin përfundimtar.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar vazhdimisht Uashingtonit të autorizojë sa më shpejt transferimin e raketave, duke paralajmëruar për sulme të reja ruse ndaj qyteteve dhe infrastrukturës kritike të vendit, veçanërisht përpara dimrit. Sipas tij, mungesa e interceptuesve Patriot po e vështirëson ndjeshëm mbrojtjen nga sulmet balistike ruse.
Ndërkohë, raketat për sistemet kundërajrore NASAMS, të cilat gjithashtu kishin mbetur në pritje të miratimit amerikan, tashmë janë autorizuar dhe po dërgohen drejt Ukrainës.
Një tjetër çështje e pazgjidhur mbetet kërkesa e Kievit për të prodhuar vetë raketa Patriot. Edhe pse presidenti amerikan Donald Trump premtoi në korrik se do t’i jepte Ukrainës të drejtën dhe teknologjinë për prodhimin e tyre, procesi është bllokuar për shqyrtim të mëtejshëm në Pentagon.






