Reshitaj i reagon Konjufcës: Mungesë respekti, frizerkat janë gra që punojnë me nder çdo ditë

- Advertisement -

Kandidatja për deputete, Albena Reshitaj ka reaguar ndaj ofendimit që ministri në detyrë i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca, ia bëri ish-presidentes Vjosa Osmani duke e quajtur atë “frizerkë”.

Reshitaj u shpreh se kur tentohet të nënçmohet gruaja, zbulohet urrejtja, paragjykimi dhe nënvlerësimi ndaj dinjitetit, inteligjencës dhe aftësisë së saj.

“Kur tentohet të nënçmohet gruaja, ajo që në të vërtetë zbulohet nuk është dobësia e saj, por urrejtja, paragjykimi dhe nënvlerësimi ndaj dinjitetit, inteligjencës dhe aftësisë së saj për të shkëlqyer në çdo profesion e në çdo rol të shoqërisë”, shkroi ajo.

Ajo u shpreh se presidentja Vjosa Osmani e ka ngritur Kosovën në piedestalin e përfaqësimit ndërkombëtar me dinjitet e profesionalizëm.

Reshitaj gjithashtu tha se frizerkat janë gra punëtore që punojnë me nder çdo ditë, pa u ndalur asnjëherë.

“Ato ndërtojnë biznese te sukseseshme, familje të shëndosha dhe japin kontribut të ndershëm për shoqërinë tonë. Prandaj, Glauk Konjufca nuk do duhej t’ia lejonte vetes t’i përqeshte ato, e njëkohësisht të sulmonte Presidenten duke ofenduar gratë dhe një profesion të tërë. Kjo dëshmon mungesë respekti për punën e ndershme dhe për vetë gruan në shoqëri”.

“Ky është modeli dëshpërues dhe dështues i qeverisjes: ndarja, përqeshja dhe përçarja. Bashkë me Presidenten Osmani dhe bashkë me frizerkat, përgjigjen do t’ua japim më 7 qershor”, ka shkruar Reshitaj.

Të ngjashme

Të fundit