Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça do ta zhvillojë ndeshjen e radhës në kuadër të fazës grupore në FIBA Europe Cup.
Pas humbjes që e pësoi javën e shkuar në Mitrovicë nga Promitheas, Trepça do të luajë në udhëtim në kuadër të xhiros së dytë të kësaj gare.
Trepça do të jetë mysafire e Splitit të Kroacisë, në ndeshjen që luhet sonte nga ora 19:00 dhe i takon Grupit A.
Skuadra nga Mitrovica synon fitoren e parë në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup ndaj Splitit, ekip që ka startuar me fitore.
Spliti javën e shkuar triumfoi në udhëtim te Opava me shifrat 74:68 dhe sigurisht që ndaj Trepçës kërkon triumfin e dytë rresht në këtë garë.
Krahas Trepçës në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, paraqitet edhe Bashkimi që bën pjesë në Grupin F por që ndeshjen e xhiros së dytë nuk e ka zhvilluar.
Shkaku i vonesës së përgjigjes për pajisje me viza, Bashkimi nuk ka mundur të udhëtojë në Manchester për xhiron e dytë dhe kjo ndeshje është shtyrë deri në një vendim të FIBA-s.






