Në kuadër të aktiviteteve për Ditët e Mërgatës, në Skenderaj është mbajtur “Sofra e Drenicës”, një aktivitet i cili ka bashkuar qytetarë, mërgimtarë dhe përfaqësues institucionalë rreth traditës, mikpritjes dhe vlerave të përbashkëta.
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, përmes një postimi në Facebook, ka vlerësuar rëndësinë e këtij aktiviteti dhe kontributin e bashkatdhetarëve që rikthehen në vendlindje gjatë verës.
“Sofra e Drenicës, vendi ku tradita bashkon zemrat tona”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka falënderuar në veçanti mërgimtarët për pjesëmarrjen, duke theksuar se rikthimi i tyre në vendlindje dëshmon lidhjen e fortë me vendin prej nga kanë origjinën.
“Një falënderim i veçantë për bashkatdhetarët tanë që, pavarësisht largësisë, rikthehen gjithmonë me mall e dashuri në vendlindje”, ka deklaruar Lushtaku.
Sipas tij, prania e mërgimtarëve u jep një rëndësi të veçantë aktiviteteve të Ditëve të Mërgatës dhe dëshmon se lidhja me vendlindjen nuk njeh distancë.
“Mirë se vini gjithmonë në sofrën e Drenicës, në sofrën e zemrës sonë!”, ka përfunduar Lushtaku.






