Çitaku, Gjykatës Speciale: U mor vesh sa herë shtrohet sofra në Hagë, tregoni si u gatua padrejtësia, 2.356 dokumente nga Serbia në dosje

- Advertisement -
U.d kryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj Speciales, pas raportimeve rreth kushteve që ish-krerët e UÇK-së i kanë në Hagë, duke thënë se ‘’e morëm vesh sa herë në ditë shtrohet sofra në Hagë, tani na tregoni si u gatua kjo padrejtësi’’.

Çitaku, ka thënë se dëshmitë e zyrtarëve të lartë të NATO-s, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe OKB-së nuk morën peshën që meritonin në aktgjykimin e 16 shtatorit, ndërsa, në anën tjetër, rreth 2.356 dokumente nga Serbia u pranuan si prova në Gjykatën Speciale.

‘’ Si u verifikuan ato 2.356 dokumente të ardhura nga Serbia, shteti që ende e quan UÇK-në organizatë terroriste? Çfarë mundësie pati mbrojtja për t’i kundërshtuar? Zyrtarët ndërkombëtarë që kishin qenë të angazhuar drejtpërdrejt në Kosovë u dëgjuan në sallë. Kur erdhi puna te aktgjykimi, dëshmitë e tyre u zhvlerësuan. Pse? Si’’, ka shkruar mes tjerash Çitaku.

Postimi i plotë:

2.356 dokumente nga Serbia në dosje, ajër i pastër dhe tri shujta në ditë në komunikatë.

E morëm vesh, Speciale, sa herë në ditë shtrohet sofra në Hagë. Tani na tregoni si u gatua kjo padrejtësi.

Rreth 2.356 dokumente nga Serbia u pranuan si prova në Gjykatën Speciale. Dëshmitë e zyrtarëve të lartë të NATO-s, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe OKB-së nuk morën peshën që meritonin në aktgjykimin e 16 shtatorit. Pas gjashtë vjetësh paraburgim për ish-krerët e UÇK-së, Specialja ka zgjedhur të na tregojë se u shërben tri shujta në ditë dhe se ata kanë të drejtë të dalin në ajër të pastër.

Po, e lexuam menynë. Tani të flasim për dosjen dhe drejtësinë.

Si u verifikuan ato 2.356 dokumente të ardhura nga Serbia, shteti që ende e quan UÇK-në organizatë terroriste? Çfarë mundësie pati mbrojtja për t’i kundërshtuar? Zyrtarët ndërkombëtarë që kishin qenë të angazhuar drejtpërdrejt në Kosovë u dëgjuan në sallë. Kur erdhi puna te aktgjykimi, dëshmitë e tyre u zhvlerësuan. Pse? Si?

Në të njëjtin proces u pranuan 164 deklarata me shkrim, pa i dhënë mbrojtjes mundësinë t’i merrte në pyetje personat që i kishin dhënë. Rreth 2.000 prova u pranuan pasi prokuroria e kishte mbyllur paraqitjen e rastit të saj. Në ç’rrethana quhet kjo barazi mes palëve?

Dhe pastaj vjen abuzimi me njerëzoren. Hashim Thaçi nuk u lejua t’i jepte lamtumirën e fundit babait të tij. Vëllezërve u mohohet takimi me vëllezërit e tyre, në derë të shtëpisë. Por Specialja po na kujton me përpikëri se ka dhjetë ditë vizitash në muaj. Sa ditë i duhen një djali për të marrë pjesë në varrimin e të atit? Vetëm një. Pikërisht atë ditë ia mohuat.

Kur vetë Gjykata ka konstatuar gabime në rastet e Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës, duke rrëzuar në apel disa prej gjetjeve të fajësisë në rastin e Shalës dhe duke ulur dënimin në rastin e Mustafës, kërkesa për një analizë të pavarur të aktgjykimit të 16 shtatorit është e domosdoshme.

Prandaj, si shtet e si shoqëri, nuk do të zmbrapsemi. Do ta çojmë përpara ligjin për mbrojtjen e çlirimtarëve tanë, do ta zbatojmë strategjinë shtetërore për apelin dhe do të lobojmë e ta ngremë zërin anembanë botës.

Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë që e vërteta të triumfojë në apel.

 

 

Të ngjashme

Të fundit