Reçica dhe Guri kanë thënë se përgjegjësia për largimin e të rinjve nga vendi i takon Qeverisë, duke theksuar se, sipas tyre, kushtet e dobëta ekonomike, mungesa e perspektivës, problemet në shëndetësi dhe pengesat për sektorin privat janë ndër faktorët që po i shtyjnë qytetarët të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë Kosovës.
Reçica në një intervistë për Ekonomia Online e ka cilësuar shqetësuese largimin e të rinjve, por edhe të profesionistëve që kanë krijuar përvojë në Kosovë.
“Së pari, kjo dukuri e largimit të rinjve, sidomos të rinjve, por edhe ekspertëve, por atyre që kanë përvojë dhe kanë krijuar përvojë këtu në Kosovë është shumë shqetësuese. Në të kaluarën jo shumë të largët, ne jemi mburrur që Kosova është vendi më i ri për nga mosha dhe çfarëdo që ndodh me këtë vend, do të thotë do të ketë kush të jetë këtu dhe faktikisht ta mbajë jetën institucionale, familjare, politike, shkencore, arsimore, të gjitha. Kohëve të fundit kisha për të thënë që kjo është luhatur. Nuk po them që është luhatur shumë, por është luhatur, sepse ikja e të rinjve është jashtëzakonisht e madhe në numër”, ka deklaruar Reçica.
Ai ka përmendur shifra që, sipas tij, flasin për përmasat e largimit të të rinjve, duke thënë se në vitet e fundit janë larguar dhjetëra mijëra qytetarë, ndërsa ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për atë që e konsideron mungesë të veprimeve për të parandaluar migrimin.
“Dhe në kuadër të kësaj përmenden shifra 50,000, 100,000 të rinj që shkojnë, lëvizin, kthehen, por diku mbi 50,000 janë rregulluar këto viteve të fundit, këto shtatë viteve të fundit, dhe kjo është dukuri shqetësuese. Por është nonsens njeri që është përgjegjës për gjashtë vite, që e ka fituar pushtetin në disa palë zgjedhje, që e ka fituar pushtetin absolut sa i përket përqindjes, që i ka të gjitha mundësitë për t’i rregulluar krejt këto çështje për të cilat ai donte të gjejë arsyetim. Do të thotë Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje i kanë të gjitha në duar për t’i penguar ose për t’i kthyer”, ka thënë ai.
Reçica ka kritikuar edhe deklaratat për kthimin e profesionistëve në Kosovë, duke përmendur rastin e mjekëve, për të cilët thotë se largimi po vazhdon, ndërsa ka lidhur migrimin edhe me gjendjen në arsim dhe me buxhetin e planifikuar për këtë sektor.
“Bile pikërisht ata, pikërisht Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje janë mburrur që do t’i kthejnë një pjesë të të rinjve që janë krijuar si ekspertë atje, mbase angazhimit, shkollimit, punës dhe përvojës këtu. Por ju e dini çfarë loje ke, jo shumë e ndershme me ata 172 mjekë që janë kthyer. Vërtetë s’është kthyer asnjë. Përkundrazi, mjekët po ikin. Shkaqe, thotë, janë te keqqeverisja. Arsimi, është e vërtetë që ne jemi duke shkuar këtu rëndë sa i përket testit të PISA-s, por në anën tjetër ne kemi buxhet më të pakët për 6 milionë për vitin 2027 se sa për vitin 2026. Kështu zhvillohet arsimi, këtu, kështu në këtë formë ndalen të rinjtë që të emigrojnë”, ka deklaruar Reçica.
Sipas tij, edhe vështirësitë me të cilat po përballen bizneset private po ndikojnë në largimin e punëtorëve, ndërsa ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, institucionet po trajtojnë sektorin privat.
“Kemi problemin me bizneset, meqë një pjesë e madhe e punëtorëve që punojnë në bizneset private janë duke u larguar, sepse bizneset janë duke u penguar në afarizëm dhe normal që ata po krijojnë dhe po kërkojnë dhe po krijojnë rrethana dhe kushte më të mira për të ikur nga këtu. Çështja tjetër, që është shumë e rëndësishme, është çështja e shëndetësisë. Ju ballafaqoheni dhe të gjithë qytetarët ballafaqohen që për shkaqe shëndetësore dhe për shkak të cilësisë shumë të dobët të shëndetësisë, një pjesë e qytetarëve tanë ikin nga këtu. Ka nga ata që shesin atë që e kanë të fundit dhe kërkojnë, sidomos në Francë, për t’u shëruar. Dhe për të gjitha këto, thotë, një adresë, nuk ka nevojë të arsyetohet kryeministri që i ka të gjitha mundësitë për t’i parandaluar këto”, ka thënë deputeti i PDK-së.
Reçica ka ngritur edhe çështjen e mërgatës, duke thënë se Qeveria nuk ka krijuar kushte të mjaftueshme për kthimin e investimeve nga diaspora, ndërsa përgjegjësinë për gjendjen e migrimit ia ka atribuuar kryeministrit dhe institucioneve qeveritare.
“Dhe në anën tjetër kemi pasur për një kohë të gjatë edhe shqetësime sa i përket aspektit të sigurisë. Ju e dini një kohë të gjatë është folur do të ketë luftë, do të ketë veprime të tilla, do të ketë situata të tilla dhe normal që një pjesë e tyre duke pasur të freskët çfarë ka ndodhur para 27-28 viteve, kanë arritur që të largohen nga këtu. Dhe mendoj që përgjegjësia direkte do të duhej dhe është mbi qeverinë dhe mbi kryeministrin Albin Kurti. Ai do të duhej të investojë dhe nuk është duke e bërë këtë në kthimin e atyre, jo në pengim, vetëm pengimin e largimit nga këtu. Çfarë ka bërë deri sot për atë çfarë është krenaria jonë, mërgata shqiptare? Sa mërgimtarë janë kthyer për të investuar këtu? Që janë, janë biznesmenë në një konkurrencë të jashtëzakonshme në shtetet e ndryshme, siç janë Zvicra, Gjermania dhe vende të tjera, dhe nuk ofrohen kushte të mjaftueshme për të investuar këtu”, ka deklaruar Reçica.
Ai ka kundërshtuar edhe identifikimin e problemeve në drejtësi si një nga shkaqet e migrimit, duke thënë se institucionet përgjegjëse për këtë sektor janë nën ndikimin e Qeverisë.
“Sa i përket organeve të gjyqësisë, po është Këshilli Prokurorial në duart e qeverisë, njerëzit e saj të ardhur atje, pavarësisht që ai për forma është i pavarur, ose Këshilli Gjyqësor ose institucione të tjera. Dhe është Ministria e Drejtësisë, janë mekanizma që inspektojnë dhe kontrollojnë dhe do të duhej të kujdesen për mbarëvajtjen. Dhe kush është ministre e Drejtësisë? Është te Lëvizja Vetëvendosje, është te Lista GUXO, por është te Albin Kurti. Dhe zëvendëskryeministër është Donika Gërvalla-Schëarz. Thotë, adresa është pikërisht te ta dhe do të duhej që të kujdesen, do të duhej që më në fund të hartojnë një program qeverisës për ndaljen e ikjes së të rinjve, të qytetarëve, sepse nuk po ikin vetëm të rinj dhe fillimi i rikthimit të një pjese, një pjese të madhe, të cilët do të ishin të dobishëm edhe për vendin, edhe për familjet, po edhe vetë ata që hartojnë plane dhe projekte të tilla, siç është qeveria Kurti, nëse e kanë në plan këtë çështje”, ka thënë Reçica.
I pyetur se cilët sektorë do të duhej të ishin prioritet për të parandaluar migrimin, Reçica ka përmendur arsimin, shëndetësinë dhe sigurinë, duke theksuar nevojën që shkollimi të lidhet me kërkesat e tregut të punës.
“Të treja janë kyç. Thotë, arsimi, shëndetësia edhe faktikisht, faktikisht janë të domosdoshme dhe normal siguria është pa diskutim, por arsimi dhe shëndetësia janë top prioritet, mendoj, dhe shkollimi që do të duhej karshi kualitetit të arsimit, të jepej mundësia edhe të përshtatej shkollimi me vendet e reja të punës. Thotë, ta keni një shkollim adekuat, që pas atij shkollimi të kenë edhe vende të reja të punës”, ka deklaruar ai për Ekonomia Online.
Megjithatë, Reçica ka thënë se investimi në sektorin privat është një ndër faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe për parandalimin e largimit të qytetarëve.
“Absolutisht, kjo është e katërta por ndoshta më e rëndësishmja, realisht investimi në sektorin privat. Ose e kisha formuluar ndryshe: mos t’i bëhet pengesë zhvillimit të sektorit privat. Qysh është duke i bërë kjo qeveri. Që nga viti 2021 prej se ka ardhur në pushtet me 14 shkurt 2021 me vota absolute, me mbi 51%, i ka penguar dhe ka fakte dhe argumente, institucionet që do të duhej t’i ndihmojnë bizneset, siç është ATK-ja, dhe agjencione të tjera ligjzbatuese, në vend se t’u ofrojnë mbështetje, ata i kanë penguar. Thotë, mentaliteti i së kaluarës që një institucion i tillë të trajtohet sikurse polici financiare, qysh ka qenë në kohë të Serbisë, a në të vërtetë është agjencion që do të duhej t’i lehtësojë, t’i parandalojë, t’i paralajmërojë bizneset nëse janë në rrugë që do të mund të dëmtoheshin ata dhe shteti”, ka thënë Reçica.
Kurse, deputeti i LDK-së, Paris Guri në një intervistë për Ekonomia Online ka vlerësuar se deklarata e kryeministrit Kurti për arsimin dhe drejtësinë si shkaqe të migrimit është e pasaktë, duke thënë se largimi i qytetarëve lidhet kryesisht me kushtet ekonomike dhe kërkimin e një jete më të mirë.
“Absolutisht kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës është një e pasaktë e madhe, pasi që të gjitha matjet që janë bërë, të gjitha hulumtimet që janë bërë, të gjitha sondazhet që janë bërë prej kompanive vendore, mirëpo duke i përfshirë gjithmonë edhe kompanitë ndërkombëtare, arsyeja kryesore e ikjes së të rinjve janë kushtet e këqija ekonomike. Domethënë arsyeja pse po ikin të rinjtë prej Kosovës është për me gjetë një jetë më të mirë. Nuk ka të bëjë me arsim, nuk ka të bëjë me drejtësi, ka të bëjë me një gjë shumë të thjeshtë: kushtet e këqija ekonomike. Po dalin njerëzit për një jetë më të mirë jashtë Kosovës, për arsye se atë nuk po e gjejnë në vendin tonë”, ka deklaruar Guri.
Ai ka thënë se, edhe nëse arsimi dhe drejtësia konsiderohen faktorë që ndikojnë në migrim, Qeveria aktuale ka pasur kohë dhe përgjegjësi për të ndërmarrë veprime në këta sektorë.
“Mirëpo, edhe nëse arsyeja e ikjes së të rinjve është arsimi edhe është drejtësia, ju e dini që tash po bëhen gjashtë vite që partia në pushtet është partia Lëvizja Vetëvendosje e kryeministër është Albin Kurti. Kështu që gjatë këtyre gjashtë viteve ai është dashur me bërë diçka edhe për arsim, edhe për drejtësi që të rinjtë mos me ikë. Mirëpo, ka një numër jashtëzakonisht të madh të rinjve që janë tu ikë. Kjo është fatkeqësi e madhe, sidomos duke pasur parasysh faktin që rinia është potenciali më i madh që e ka Kosova. Domethënë shtetet e tjera, shtetet e Bashkimit Evropian, apo edhe më larg se Bashkimi Evropian, janë tu e marrë potencialin tonë më të madh që e kemi si vend edhe janë tu e shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Guri.
Sipas tij, të rinjtë e Kosovës po dëshmojnë aftësitë e tyre në fusha të ndryshme jashtë vendit, ndërsa problemi, qëndron në mungesën e kushteve dhe perspektivës për të ushtruar profesionet e tyre në Kosovë.
“Për arsye se e dimë të gjithë që të rinjtë e Kosovës po shkëlqejnë në të gjitha fushat për të cilat dedikohen. Në teknologji janë të parët, në mjekësi ka jashtëzakonisht mjekë të zot që po e dëshmojnë veten jashtë Kosovës. Kështu që në gjithçka që të rinjtë e Kosovës fokusohen, në gjithçka janë të jashtëzakonshëm. Kështu që gjithçka çka ju vyn atyre është veç kushte më të mira në vendin e tyre. Ju e dini për shembull, tash statistikat e fundit mbi 600 mjekë janë të papunë. Pjesa dërrmuese e tyre janë të rinj që e kryejnë fakultetin, fokusohen me një fakultet i cili është i vështirë për me u përfundu, e dimë të gjithë, domethënë duhen gjashtë vite për me përfunduar fakultetin, pastaj është specializimi, pastaj vijnë tituj e tituj derisa ta mbërrish titullin e duhur edhe mandej në fund mbas krejt kësaj sfide, që investon edhe shteti, mirëpo investon edhe familja financiarisht, me mbet i papunë, natyrisht që ai i ri ka me gjetur, ka me kqyr me gjetur opsione të tjera jashtë vendit për me ushtruar funksionin e tyre, për arsye se krejt çka po kërkojnë të rinjtë sot është dinjitet, kushte më të mira ekonomike, gjë që fatkeqësisht nuk po mundësohet tash e gjashtë vite prej kësaj qeverie”, ka deklaruar ai.
Guri ka theksuar se për të parandaluar migrimin, nevojitet përmirësimi i kushteve ekonomike dhe rikthimi i shpresës tek të rinjtë, duke kritikuar punësimet që, sipas tij, bëhen përmes lidhjeve partiake.
“Të rinjtë në Kosovë nuk kanë shpresë. Ju ka humbur shpresa. Për me kthyer atë shpresë në Kosovë, fillimisht duhet me u ngritur kushtet e pagesës për ata të rinj, duhet për shembull qysh mundet një i ri në fund të fundit me qëndruar në Kosovë kur e sheh një lajm që kryeministri ia mundëson një kryetari të komunës me i hapur 150 konkurse për 150 persona, militantë partiakë, për me fituar një kryetar i komunës së partisë së kryeministrit. Pastaj ai i ri i cili i ka kryer, i ka përfunduar studimet në rregull, ka sukses të jashtëzakonshëm gjatë studimeve të tij edhe është i papunë, e kur e sheh që për me u punësuar duhet me qenë militant partiak i një komune për me fituar partia e caktuar me një komunë, qysh mundet ai i ri me ndenjur në Kosovë? Pra atë po them që ka humbur shpresa. Ka humbur shpresa për arsye se për një të ri është jashtëzakonisht shqetësuese me i pa ato konkurse, ato pozita ku punësohen 150 militantë me librezë partiake veç pse janë pjesë e një partie politike dhe kanë me i ndihmuar asaj partie politike me fituar komunën. Po flas për rastin e Halil Thaqi, kryetarit të Komunës së Obiliqit, i cili vetë me gojën e tij e ka pranuar se ka hapur konkurs me ndihmën e kryeministrit Albin Kurti për me i punësuar 150 veta, madje thoshte ‘jo 149, por fiks 150 unë vendosi kush me u punësuar për me fituar komunën’. E mandej një i ri që e sheh këtë, natyrisht që ikën prej vendit. Kështu që këtu janë arsyet pak a shumë pse të rinjtë ikin prej Kosovës, për arsye se këtu nuk po shohin më shpresë”, ka thënë Guri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në Kuvendin e Kosovës për migrimin, duke thënë se, sipas bindjes së tij, dy prej shkaqeve kryesore që po i shtyjnë qytetarët të largohen nga vendi janë cilësia e arsimit dhe problemet në sistemin e drejtësisë.
“Por bindjen time gjatë këtyre gjashtë vjet qeverisje, janë dy shkaqe kryesore të migrimit të njerëzve në kohët e fundit. Nuk po flas për ato migrimet kur ka qenë okupimi i egër i Serbisë, apartheidi, persekutimi politik, mandej varfëria ekonomike e kështu me radhë. Edhe më tutje do ta kemi rrezik migrimin nga këta të njëjtit dy faktorë”, ka deklaruar kryeministri.






