Kryeziu-Hyseni: Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare kërkon kohë, nuk mund të përmbyllet brenda një viti

- Advertisement -

Kosova po punon intensivisht për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, por këto procese nuk mund të përmbyllen brenda një viti apo një mandati, ka deklaruar në një intervistë për Ekonomia Online, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.

Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës janë të angazhuara në këtë drejtim, ndërsa ka theksuar se pengesat me të cilat është përballur vendi kanë qenë kryesisht të natyrës politike dhe jo si rezultat i mospërmbushjes së kritereve.

“Kosova po punon vazhdueshëm që t’i përafrohet anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, të cilat tashmë janë synimi ynë prej kohësh e në drejtim të të cilave po punohet vazhdueshëm. Këto janë procese të cilat nuk mund të përmbyllen brenda një viti kalendarik apo brenda një mandati, sepse kërkohet angazhim i madh, po edhe angazhim shumëdimensional në mënyrë që të arrijmë deri tek rezultati final që është anëtarësimi i Republikës së Kosovës. Megjithatë e mira është që në këtë drejtim po angazhohen të gjitha palët. Edhe kuvendi, edhe qeveria le të themi edhe departamentet e veta brenda saj po punojnë intensivisht në këtë drejtim në mënyrë që Kosova të mund të arrijë t’i afrohet e pse jo dhe të fitojë statuset e kandidatit me të drejta të plota në këto mekanizma në të cilat synojmë të shkojmë ne”, tha ajo.

Deputetja e VV-së ka përmendur aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, si dhe vlerësimin se vendi i ka përmbushur kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Tashmë e kemi aplikimin për të fituar statusin e vendit kandidat në BE. Në të njëjtën kohë jemi, le të themi, e ndjejmë veten që i kemi plotësuar të gjitha kriteret sa i përket anëtarësimit në Këshill të Evropës. Edhe këtë madje po e thonë edhe vetë përfaqësuesit e shteteve të cilat e kanë mbështetur Kosovën gjatë ecurisë vazhdueshëm që nuk ka asnjë arsye pse Kosova po vazhdon të mbetet jashtë dhe nuk është anëtare me të drejta të plota. E të njëjtën po e bëjmë edhe në drejtim të organizatave të tjera, sepse Kosova s’ka pasur ndonjëherë ndonjë orientim tjetër dhe as nuk kemi menduar ndonjëherë të orientohemi dikah ndryshe nga Bashkimi Evropian”, tha ajo.

Ajo ka theksuar se Kosova ka koordinim të plotë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, duke iu referuar edhe Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, ku sipas saj, ky koordinim është vlerësuar si i përmbushur 100 për qind.

“Prandaj edhe kemi pasur, le të themi, koordinim të plotë dhe bashkërendim të plotë edhe në aspektin e politikës së jashtme dhe ju e dini që tash së fundmi në kuadër të raportit të progresit e kemi një kapitull të veçantë që flet pikërisht për çështjen e koordinimit të Kosovës me politikën e jashtme të BE-së, e cila është konsideruar si e përmbushur 100%, sepse ky është orientimi ynë dhe në drejtim të kësaj ne punojmë në përditshmërinë tonë”, tha ajo për Ekonomia Online.

Sipas saj, pas kthimit në normalitet të punës së Kuvendit, është shtuar edhe intensiteti i aktiviteteve të komisioneve parlamentare, të cilat po zhvillojnë takime me përfaqësues ndërkombëtarë për të lobuar për anëtarësimin e Kosovës.

“Sigurisht që ka intensitet më të madh të aktiviteteve tani, sepse ka kthim në normalitet të punës brenda kuvendit. Komisionet parlamentare po e shfrytëzojnë gjithë mundësinë dhe po takojnë sa më shumë përfaqësues ndërkombëtarë që po munden që të lobojnë në këtë drejtim. Pra diplomacia parlamentare veçse ka filluar të vë në pah angazhimin e vet në drejtim të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në këto organizata, por edhe njohjen tonë më gjerë në kuptimin e përfaqësimit ndërkombëtar”, tha ajo.

Megjithatë, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë nuk ka dhënë një afat se kur mund të përmbyllen këto procese, duke thënë se institucionet synojnë që ato të realizohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Kështu që nuk mund të themi që do të ndodhë këtë muaj apo këtë vit, por ne punojmë që këto të ndodhin sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që Kosova të mos ketë më pengesa të tilla siç kemi vazhduar t’i kemi, që kanë qenë të ndërlidhura politikisht dhe jo të varura nga ndonjë mungesë që ne e kemi treguar në raport të ndonjë procesi të caktuar, sepse e mira e krejt kësaj ka qenë që ne gjithmonë kemi qenë në përputhje me gjithçka çfarë na është kërkuar dhe kemi arritur t’i përmbushim në plotëni të gjitha kriteret që kanë qenë të drejtuara nga Republika e Kosovës. Pra vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën dhe shpresojmë që këto të gjitha do të përmbyllen me rezultate pozitive, por ama janë procese të gjata, janë procese të vështira dhe sigurisht që kërkohet durim, sepse nuk mund të presim që ndonjëra prej këtyre të përfundojë brenda javësh ose siç na duket neve që janë procese që mund të përmbyllen shpejt”, tha ajo.

Kosova aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor 2022, duke mbetur vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat.

Ndërsa, në Këshillin e Evropës Kosova ka aplikuar më 12 maj të vitit 2022 duke u bazuar në nenin 4 të Statutit të KiE-së, që lejon çdo shtet të kërkojë anëtarësim nëse respekton parimet e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.

Të ngjashme

Të fundit