Prof. Dr. Dr. Halil Krasniqi, ekspert i shëndetësisë
Origjina e Koronavirusit nga instituti i Virologjisë në Wuhan
Sipas (BND), koronavirusi COVID-19 ka të ngjarë të ketë dalë nga një laborator kinez. Tani pesë vjet më parë, BND e kishte klasifikuar hipotezën e rrjedhjes nga laboratori si “të mundshme”, madje duke vlerësuar sigurinë e saj midis 80 deri në 95 për qind. Megjithatë, qeveria gjermane i ka mbajtur të fshehta këto gjetje dhe nuk i ka bërë publike, raportojnë gazetat NZZ, Die Zeit dhe Süddeutsche Zeitung (SZ).
Pavarësisht përpjekjeve të shumta shkencore, ende nuk është përcaktuar zyrtarisht nëse virusi SARS-CoV-2 është me origjinë natyrore apo ka rrjedhur nga një laborator. Deri më tani, nuk është identifikuar asnjë kafshë ndërmjetëse që mund ta ketë kaluar virusin nga fauna e egër te njerëzit. Në të njëjtën kohë, eksperimente të diskutueshme në Institutin e Virologjisë në Wuhan (WIV) kanë forcuar dyshimet për origjinën laboratorike të virusit.
Takime të fshehta mes shkencëtarëve dhe BND-së.
Sipas raportimeve, gjatë javëve të fundit ka pasur takime mes disa shkencëtarëve dhe BND-së, me iniciativën e Kancelarisë së Gjermanisë. Takimi i parë thuhet se është mbajtur qysh vitin e kaluar dhe në të kanë marrë pjesë virologë të njohur. Tema kryesore ka qenë origjina e mundshme e virusit. Gazeta „Die Zeit“ raporton se Kancelaria ka mbajtur informacione të rëndësishme të fshehta për pesë vite rresht.
Sipas gazetës NZZ, qeveria gjermane ka qenë plotësisht në dijeni të informacioneve të reja të mbledhura gjatë këtyre takimeve. Kur gazeta zvicerane kërkoi një koment nga qeveria, zëdhënësi i saj dha një përgjigje të paqartë, duke thënë se nuk jepet asnjë koment publik mbi informacionet e inteligjencës dhe se ato raportohen vetëm në komisionet sekrete të Bundestagut. Pse publiku nuk është informuar për këto zhvillime mbetet e paqartë.
BND: “Virusi ka të ngjarë të vijë nga një laborator kinez”
Sipas BND-së, të gjitha provat e disponueshme tregojnë se koronavirusi ka të ngjarë të ketë dalë nga një laborator kinez. Shërbimi i inteligjencës e ka vlerësuar këtë hipotezë duke përdorur një sistem të quajtur “Probability-Index”, i cili përcakton besueshmërinë e informacionit. Bazuar në këtë analizë, BND vlerëson me një siguri prej 80 deri në 95 për qind se virusi ka origjinë laboratorike, megjithëse një provë përfundimtare nuk ekziston ende.
Zbulime të reja në SHBA për eksperimentet në Wuhan
Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, një komision i Kongresit, i drejtuar nga republikanët, ka hetuar origjinën e pandemisë dhe masat politike si izolimet (lockdowns). Anthony Fauci, imunologu i njohur dhe ish-drejtuesi i Institutit kombëtar të alergjisë dhe sëmundjeve infektive (NIAID), është marrë disa herë në pyetje për rolin e tij në financimin e eksperimenteve në Wuhan.
Një nga aspektet më të debatueshme janë eksperimentet e njohura si “Gain-of-Function” (GoF), të cilat kryheshin në laboratorin e Wuhanit. Këto eksperimente manipulojnë gjenetikisht viruset për të përmirësuar aftësinë e tyre për t’u transmetuar ose për të rritur virulencën.
Sipas të dhënave zyrtare të USAspending.gov, organizata EcoHealth Alliance ka marrë rreth 94.3 milionë dollarë fonde nga NIAID mes viteve 2008 dhe 2024. Një pjesë e këtyre fondeve është përdorur për studime mbi viruset e lakuriqëve të natës, veçanërisht pas vitit 2014.
Anthony Fauci, gjatë dëshmive të tij nën betim, ka mohuar se këto fonde janë përdorur për eksperimente GoF në Wuhan. Por të dhënat financiare tregojnë një histori ndryshe, duke ngritur më shumë pyetje mbi atë çfarë qeveritë dhe institucionet shkencore kanë ditur për origjinën e pandemisë.
Debati mbetet i hapur
Ndërkohë që hipoteza e rrjedhjes nga laboratori fiton më shumë mbështetje, mbetet ende e paqartë çfarë informacionesh kanë qeveritë në të vërtetë dhe pse ato nuk i kanë ndarë me publikun. Ndërkohë, debati mbi përgjegjësinë dhe transparencën në trajtimin e pandemisë vazhdon të jetë një çështje e ndjeshme dhe e debatueshme në gjithë botën.
Sipas vlerësimeve të mia shkencore, që në mars të vitit 2020 kam raportuar për prejardhjen e koronavirusit në emisionet televizive dhe në publikime shkencore. Ky vlerësim i imi është publikuar në media të ndryshme.