Liria nuk gjykohet…

- Advertisement -

Nga Pandeli Majko

Urimi për pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është sot edhe një peshë!
Ky urim rëndon, pasi ai ka përballë të paparashikueshmen!
Besimi në dicka, nuk e bën atë, të vërtetë!

Gjykimi në Hagë po futet në protokollet e fundit përpara shpalljes së vendimit më 16 shtator 2026!
Pritshmëria për vendimin e Hagës është e ndarë në atë shqiptare dhe në atë serbe!
Për fat të keq, gjykimet e Hagës kanë prodhuar këtë ndjesi edhe për kombet e tjera! Në çdo rast, në njërin krah qëndrojnë boshnjakët, kroatët dhe shqiptarët kurse përballë tyre janë serbët!
“Teknika” e gjykimeve ndërkombëtare të Hagës për ti shpallur fajtorë që të gjithë, për luftën që shkatërroi Jugosllavinë, nuk kanë krijuar pajtimin e pritshëm! E kundërta është e vërtetë! Ceremonia shtetërore në Serbi, për kriminelin e luftës Ratko Mlladiç që vdiq në burgun e Hagës, ishte tregues se drejtësia ndërkombëtare nuk u konsiderua e tillë!

Ballkani ka qenë një tokë ku veset janë kthyer në rregulla!
Me rastin e daljes së vendimit gjyqësor në Hagë shpresa e politikës antishqiptare dhe “prestanomeve” të tyre, është pritshmëria për një “kryengritje” pakënaqësie shqiptare ndaj Perëndimit!

Kjo pritshmëri antishqiptare po e nxit këtë ide të bazuar në mundësinë e dënimit të drejtuesve të UÇK-së në gjykatën e Hagës!
Kjo “kryengritje” po aludohet ngadalë, por bindshëm!
Strategjia në fjalë shpreson që zemërimi shqiptar karshi një gjykate ndërkombëtare ti tregojë ata (shqiptarët) si faktor antiperëndim! Duke filluar nga Beogradi, edhe të tjerë, presin që një “vendim negativ” i gjykatësve të Hagës ta barazojë atë si qëndrim i Perëndimit karshi shqiptarëve!
Kosova mund të ndodhet përballë një manipulimi masiv i cili mund të sjelli dëme jo të vogla!

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi nuk do të pranonin që emri i UÇK-së, jetët e humbura në luftën çlirimtare dhe emri i tyre të përdoreshin si ARMË kundër Perëndimit!
Në se ndodh skenari negativ, ai është prova e rëndë që kombi shqiptar do të kalojë në marrdhënie me Perëndimin!

Shqiptarët, pa Perëndimin, janë JETIMË!
Kjo ka ndodhur një herë, në konferencën e ambasadorëve në 1913!…
Përsëritja e historisë do të jetë që Serbia me Rusinë pas, të negociojë me Perëndimin, “kryengritjen” shqiptare!

Beogradi po pret vendimin e Hagës dhe ka rritur presionin! Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç nuk i fsheh pritshmëritë serbe kur deklaroi se “Perëndimi dëshiron të thotë se ne jemi të vetmit fajtorë dhe se duhet ta pranojmë këtë, sepse nuk ka pasur krime ndaj jush. Gjaku serb nuk ka rëndësi”! (Vini re që Vuçiç lidh vendimin e Hagës me qëndrimin e Perëndimit!…)
Pozitën serbe sot e shpejgon Dobrica Qosiç i konsideruar si “ati i kombit serb”! Ai në romanin e tij “Deobe” (1961) shkroi fragmentin e njohur: “Gënjeshtra është interes shtetëror serb… Ne gënjejmë për të gënjyer veten, për të ngushëlluar tjetrin; gënjejmë nga mëshira, gënjejmë nga turpi, për t’u inkurajuar, për të fshehur mjerimin tonë dhe të tjerëve… Gënjeshtra është formë e patriotizmit tonë dhe provë e inteligjencës sonë të lindur.”…

Politika e Beogradit zyrtar pret që gjykata e Hagës ta shpallë gënjeshtrën e tyre si të vërtetë!
Vendimi i Hagës për shqiptarët, është një çast historik kur e kaluara kërkon dicka nga tashmja!
Historia për shqiptarët ka qenë altar i ushqyer me dhimbje dhe sakrificë!
Ajo nuk është shkruar në… gjykatë, por ka kaluar nga ajo!
Historia shqiptare i ngjan një seance të zgjatur gjyqësore! Kjo seancë ka nisur në vitin 1878 në Lëvizjen e Prizrenit! Të akuzuarit fillojnë nga Abdyl Frashëri, Isa Buletini, Ali Ibra… !
Përballë vendimit të gjykatës, këshilla më e mirë e traditës shqiptare është të flasësh vetëm kur je i sigurtë që ajo që do të thuash është më e mirë se sa heshtja!

Në Hagë sot, janë të burgosur, katër shqiptarë që kanë bërë betimin “… do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë…”
Mospëlqimi i frikacakëve është lavdia e trimave!
Liria e një populli nuk gjykohet!

Të ngjashme

Të fundit