Dhuna nuk fillon gjithmonë me një goditje…

- Advertisement -

Shkruan: Diana Tahiri, sociologe

Prej shumë vitesh kam punuar me njerëz në situata të cenueshme dhe me problematika komplekse sociale, si në kujdesin shëndetësor, qendren forenzike te psikiatris dhe administraten të shërbimet social. Kjo përvojë më ka mësuar se kur dhuna bëhet e dukshme, ajo shpesh ka filluar shumë më herët.

Dhuna nuk fillon gjithmonë me një goditje. Shpesh fillon me kontrollin, frikësimin, izolimin, poshtërimin, kërcënimet, kontrollin ekonomik ose digjital. Por ende shpesh flasim për dhunën sikur ajo të jetë vetëm fizike. Këtu duhet të ndryshojmë perspektivën.

Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm, dhe këtë nuk duhet ta harrojmë. Janë krijuar ligje, strategji dhe mekanizma institucionalë. Por pikërisht tani duhet të mendojmë për hapin tjetër: më shumë parandalim.

Duhet të punojmë më shumë me fëmijët dhe të rinjtë, të flasim hapur për marrëdhëniet, kufijtë, emocionet dhe barazinë gjinore. Duhet të kemi më shumë punë në terren dhe bashkëpunim mes shkollave, shëndetësisë, policisë, drejtësisë, shërbimeve sociale dhe shoqërisë civile.

Duhet të punojmë edhe me autorët e dhunës. Përgjegjësia është e tyre, por parandalimi kërkon edhe programe profesionale që punojnë me kontrollin, agresivitetin, përgjegjësinë dhe mënyrat alternative të zgjidhjes së konflikteve.

Por ekziston edhe një pyetje shumë praktike:

Nëse i themi një gruaje “largohu”, ku do të shkojë?

Shumë gra mund të mbeten në marrëdhënie të dhunshme për shkak të varësisë ekonomike, mungesës së banesës, fëmijëve dhe frikës nga pasiguria.

Këtu mendoj se Kosova duhet të shqyrtojë seriozisht Housing First, një qasje e zhvilluar nga Sam Tsemberis në Nju Jork, e cila e vendos banesën e sigurt në fillim të procesit dhe jo si diçka që duhet të arrihet pasi personi të ketë “rregulluar” jetën e tij.

Për gratë që kanë përjetuar dhunë ekziston edhe modeli Domestic Violence Housing First, i cili kombinon banimin e sigurt me mbështetje individuale dhe ndihmë ekonomike fleksibile.

Kjo mund të jetë një perspektivë e vlefshme edhe për Kosovën.

Sepse një grua nuk mund të ndërtojë një jetë të re nëse zgjedhja e saj është vetëm mes dhunës dhe pastrehësisë.

Prandaj mbështetja duhet të përfshijë banim të sigurt, ndihmë ekonomike, mbështetje për punësim, shërbime sociale dhe juridike dhe, kur është e nevojshme, masa për mbrojtjen e identitetit dhe vendndodhjes së saj.

Nuk mjafton t’i themi një gruaje:

“Largohu.”

Duhet të jemi në gjendje t’i themi:

“Largohu. Ne do të të ndihmojmë të jesh e sigurt dhe të fillosh përsëri.”

 

(Qëndrimet e shprehura në artikull janë personale dhe u përkasin autorit)

Të ngjashme

Të fundit