Ligji për Dhomat e Specializuara, është antikushtetues në disa aspekte

- Advertisement -

Ligji për Dhomat e Specializuara, është antikushtetues në disa aspekte. Ndonëse vonë, megjithatë më mirë vonë se kurrë, duhet të adresohet kjo antikushtetutshmëri.

E kemi thënë në vazhdimësi, Ligji për Dhomat e Specializuara ka dispozita që kërkojnë ndryshim dhe harmonizim me Kushtetutën dhe standardet e të drejtave të njeriut.

1. Neni 44, i Ligjit dhe parimi “lex mitior”, zbatimi i ligjit më të favorshëm.

Neni 44, mundëson aplikimin e një kornize ndëshkuese që në rrethana të caktuara, mund të rezultojë në dënime deri në burgim të përjetshëm, ndonëse në kohën kur pretendohet se janë kryer veprat penale, sipas legjislacionit të zbatueshëm në Kosovë, maksimumi i dënimit ishte dukshëm më i ulët, gjegjësisht deri në 15 vite burgim.

Kjo ngre çështjen e respektimit të parimit lex mitior, të parimit të ligjshmërisë në të drejtën penale dhe të ndalimit të zbatimit retroaktiv të një ligji penal më të pafavorshëm, në raport me nenin 33, të Kushtetutës dhe standardet përkatëse të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkatësisht nenin 7, ku në mes tjerash, parasheh që nuk mund të jepet një dënim më i rëndë se ai që ishte i zbatueshëm në momentin kur është kryer vepra penale.

2. Neni 57, i Ligjit, i cila i referohet marrëveshjeve me shtetet e treta, përkatësisht vuajtja e dënimit me burg

Neni 162, i Kushtetutës i jep Dhomave kompetenca të posaçme lidhur me transferimin e personave të dënuar për vuajtjen e dënimit jashtë territorit të Kosovës. Megjithatë, kjo duhet të lexohet në harmoni me garancitë kushtetuese për të drejtat dhe liritë themelore.

Në veçanti, kjo kompetencë që i është dhënë Kryetares së Dhomave të Specializuara, me ligj, dhe duke qene se prek drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë themelore, është në kundërshtim me nenin 18, të Kushtetutës.

3. Mungesa e mekanizmit të mbikëqyrjes

Një tjetër çështje që duhet adresuar është mungesa e një mekanizmi të qartë dhe efektiv të raportimit dhe llogaridhënies ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse vetë Amendamenti Kushtetues që themeloi Dhomat e Specializuara parasheh që mbikëqyrja, buxhetimi, auditimi dhe funksionet e tjera të rregullohen përmes marrëveshjes ndërkombëtare, ligjit të veçantë dhe aranzhimeve përkatëse. Mos rregullimi i çështjes së mbikëqyrjes është mangësi tejet e madhe e ligjit.

4. Shqyrtimi i mundësisë së llogaritjes së një dite paraburgimi me një ditë e gjysmë burgim

Kjo mundësi ligjore do të ishte në harmoni me këtë koncept të cilin e kanë përqafuar një numër shtetesh, e mbi të gjitha, do të ishte proporcionale me nivelin e vuajtjeve, shqetësimeve dhe vështirësive që i karakterizon të paraburgosurit në pritje të një verdikti final.

Të gjitha këto çështje mund të adresohen, nëse ekziston vullnet politik dhe juridik, përmes ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Këto ndryshime jo vetëm që nuk do të duhej të bien ndesh me Kushtetutën dhe me Amendamentin Kushtetues që themeloi Dhomat e Specializuara, por përkundrazi do ta harmonizonin këtë ligji me Kushtetutën dhe me standardet kushtetuese të të drejtave dhe lirive themelore.

Në këtë mënyrë do të mund të adresohej edhe një çështje që vetë Kushtetuta e ka paraparë, por që kërkon rregullim më të qartë në ligj, atë të raportimi, mbikëqyrja dhe llogaridhënia institucionale të kësaj gjykate.

Vlen të theksohet se ndryshimi dhe plotësimi i këtij ligji, në vetvete, nuk kërkon ndonjë procedurë të veçantë. Prandaj, nëse ekziston vullneti institucional, këto çështje mund të adresohen përmes një procesi të rregullt legjislativ, pa prekur bazën kushtetuese të Dhomave të Specializuara.

Më mirë vonë se kurrë!

Të ngjashme

Të fundit