Reuters: Sanchez dhe Lula tentojnë të mobilizojnë të majtën kundër politikave të Trump – edhe Kurti në mbledhinë e tyre në Barcelonë

- Advertisement -

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, është duke qëndruar në Barcelonë, për të marrë pjesë në një tubim të së majtës, Global Progressive Mobilisation (GPM), Barcelona 2026. Nga atje, Kurti ndër tjerash ka thënë se kjo konferencë, është e para e llojit të saj, ku janë bashkuar në diskutime partitë politike, organizatat shoqërore dhe aktivistët progresistë nga mbarë bota. Ai ka deklaruar edhe se, ka mbajtur një fjalim në mbledhjen e kryesisë së Party of European Socialist (PES) ku foli për “prapakthim demokratik” dhe “dy krizat ekzistenciale” me të cilat po përballet bota.

Për këtë tubim të së majtës, ka raportuar Reuters, e cila i ka kushtuar titullin ‘’ Liderët globalë të së majtës mblidhen në Spanjë për t’u mobilizuar kundër ekstremit të djathtë’’, përcjell Gazeta Express.

Aty theksohet se kryeministri i Spanjës Pedro Sánchez dhe presidenti i Brazilit Luiz Inácio Lula da Silva do jenë ata që do të udhëheqin takimet në një përpjekje për të mbrojtur multilateralizmin dhe për të mobilizuar lëvizjet e majta kundër ekstremit të djathtë.

Takimet, të organizuara nga Spanja dhe rrjete politike të majta, nga Reuters thuhet se, vijnë në një kohë kur presidenti i SHBA-së Donald Trump, me shkurtimet e shpejta të ndihmës humanitare, ndërhyrjet ushtarake dhe kërcënimet për t’u tërhequr nga NATO, ka tronditur status quo-në e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ka nxitur një rishqyrtim të aleancave globale.

E lindur si një “thirrje zgjimi” për socialistët evropianë pas rritjes së ekstremit të djathtë në zgjedhjet e BE-së në vitin 2024, synimi i të ashtuquajturës “Mobilizimi Global Progresiv” që nisi sot është të mobilizojë mbështetësit e ideve të majta, duke kulmuar me një deklaratë për veprime të përbashkëta mbi objektiva që variojnë nga mbrojtja e demokracisë deri te tranzicioni i gjelbër, thanë organizatorët.

Një takim i dytë të shtunën – me titull “Në mbrojtje të demokracisë” – organizohet nga qeveria spanjolle dhe është edicioni i katërt i një samiti të nisur nga Lula dhe Sánchez në vitin 2024.

Të dy liderët janë kritikë të zëshëm ndaj administratës së Trump-it – me Sánchez-in veçanërisht të hapur në kritikat për luftën me Iranin – dhe të dy përballen me sfida në rritje nga e djathta ekstreme në garat e ardhshme zgjedhore.

Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa, i cili gjithashtu është përplasur me Trump-in, do të marrë pjesë, si dhe presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum, duke shënuar vizitën e parë në Spanjë nga një president meksikan që nga viti 2018, pas viteve tensionesh mbi trashëgiminë e sundimit kolonial spanjoll.

“Mendoj se është e rëndësishme që partitë dhe qeveritë progresive të bashkohen për t’i përcjellë publikut, veçanërisht në Spanjë, se ne i përkasim diçkaje që shkon përtej politikës së brendshme,” tha Sánchez për këto takime, duke folur në Pekin gjatë një vizite në Kinë, ku ai dhe presidenti Xi Jinping u zotuan për lidhje më të ngushta.

E djathta ekstreme në Evropë humbi një nga mbështetësit e saj më të mëdhenj me humbjen e liderit nacionalist të Hungarisë Viktor Orbán në zgjedhjet e së dielës. Sánchez e përshëndeti këtë, duke thënë se “vala mund të ndalet, dhe Hungaria e dëshmon këtë”.

Në aktivitetin tjetër, 3,000 persona, përfshirë krerë aktualë dhe të mëparshëm shtetesh, rreth 400 kryetarë bashkish, sindikata, aktivistë dhe parti politike, do të mblidhen për dy ditë në një ngjarje të organizuar nga partia socialiste e Spanjës. Sánchez dhe Lula do ta mbyllin aktivitetin.

“Forcat radikale po veprojnë në vendet tona për të mbështetur lëvizjet e ekstremit të djathtë… ne duhet të tregojmë se ekziston një alternativë,” tha Giacomo Filibeck, Sekretari i Përgjithshëm i Party of European Socialists, e cila përfshin 33 parti në gjithë Evropën.

Të ngjashme

Të fundit