Kurti arsyetohet për humbjen e fondeve të BE’së: Zgjedhjet e përsëritura e ngadalësuan ritmin e reformave

- Advertisement -

Kosova ka humbur disa miliona euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian.

Nga samiti në Tiranë i Planit të Rritjes, kryeministri Albin Kurti, u arsyetua për humbjen e këtyre parave, duke thënë se fajtore ishin zgjedhjet e përsëritura.

“Ndonëse funksionimi demokratik nuk na mungoi, zgjedhjet e përsëritura e ngadalësuan ritmin e reformave”.

Por, Kurti tha se ato reforma do të përmbushen edhe pse fondet humbë sepse, sipas tij, është detyrë kombëtare e Kosovës.

“Tani, me stabilitet të plotë institucional, e kemi përshpejtuar dinamikën e tyre. Do t’i përmbushim të gjitha, edhe ato për të cilat fondet humbën, sepse reformat janë detyrë e jona kombëtare dhe evropiane”.

Në fund, Kuri dha një propozim në lidhje me zbatimet e zotimeve në raport me Serbinë.

“Kosova i ka ratifikuar të pesë marrëveshjet e mobilitetit, ndërsa Serbia ende nuk i njeh diplomat tona. Bashkëpunimi rajonal nuk duhet të mbetet peng i bllokadave: kush zbaton më shumë nga ajo që është dakorduar, duhet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së”.

Komisionerja Marta Kos sot njoftoi shumat e reja që do të përfitojnë tri vendet e rajonit që kanë avancuar me reformat e tyre, Mali i Zi, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, ndërsa Kosova bashkë me Serbinë e Bosnje e Hercegovinën nuk morën asgjë për shkak të mospërmbushjes në kohë të reformave të kërkuara për t’i marrë këto fonde.

Të ngjashme

Të fundit