Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, e cila po e përfaqëson Kosovën në Iniciativën Brdo-Brijuni që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në fjalën e saj para liderëve të rajonit theksoi se bashkëpunimi rajonal, fqinjësia e mirë dhe integrimi evropian janë thelbësore për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
Sipas Presidentes integrimi evropian nuk mund të jetë selektiv dhe se të gjitha vendet duhet të përparojnë drejt anëtarësimit mbi bazën e meritave dhe kritereve të barabarta.
Duke iu referuar Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të mbajtur më 16 nëntor në Bruksel, Presidentja kritikoi mospërfshirjen e Kosovës në këtë aktivitet, si dhe lejimin e interpretimit të një kënge nacionaliste që vë në pikëpyetje shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Ajo theksoi se është paradoksale që në një aktivitet kushtuar zgjerimit dhe vlerave evropiane Kosovës t’i mohohet përfaqësimi institucional, ndërsa lejohen mesazhe që mohojnë realitetin. Sipas Presidentes, praktika të tilla nuk i shërbejnë pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal.
Presidentja Shiroka Pula ritheksoi se Kosova nuk kërkon privilegj, por barazi, respekt dhe trajtim të drejtë. Ajo theksoi se integrimi evropian është zgjedhje strategjike e Kosovës dhe se mungesa e përparimit drejt statusit të vendit kandidat dëmton besimin e qytetarëve në perspektivën evropiane të rajonit.
Në fjalën e saj, Presidentja vuri në pah edhe rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal, zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në përmbyllje, Presidentja theksoi se Bashkimi Evropian duhet të dëshmojë se parimet e barazisë, solidaritetit dhe respektimit të vlerave evropiane vlejnë njësoj për të gjitha vendet. Ajo nënvizoi se Kosovës i takon vendi i merituar në familjen evropiane.






