Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se tashmë janë mbledhur nënshkrimet për iniciativën e re ligjore për Dhomat e Specializuara, ndërsa drafti i ligjit është përfunduar.
Në një deklarim për media, Çitaku ka thënë se procedimi i kësaj iniciative nuk do të jetë vetëm një formalitet, pasi sipas saj është e rëndësishme që paraprakisht të zhvillohen konsultime me liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Ajo ka theksuar se synimi është që iniciativa e re ligjore, kur të procedohet në Kuvend, të marrë të njëjtën mbështetje të fuqishme që kishte marrë edhe ligji paraprak.
“Ne nënshkrimet veç i kemi mbledhur për nismën e re ligjore. Drafti i ligjit është gati, po për ne ky proces nuk është thjesht formalitet. Siç e thashë është shumë e rëndësishme që të konsultohemi, të flasim edhe me liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Disa i kam takuar tashmë, disa do t’i takoj nesër gjatë ditës, disa të tjerë sot më vonë. Është e rëndësishme që ky ligj kur të vijë në Kuvend, të merr po të njëjtin mbështetje të fuqishme që e ka marrë ligji paraprak”, ka deklaruar Çitaku.
Duke folur për konsultimet me Bashkimin Evropian, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së ka bërë të ditur se është takuar me ambasadorin e BE-së, të cilin e ka njoftuar për iniciativën e re ligjore.
Çitaku ka thënë se gjatë ditës do t’i drejtohen zyrtarisht Bashkimit Evropian me shkrim, duke përsëritur thirrjen që përfaqësuesit e BE-së të marrin pjesë në konsultimet lidhur me këtë iniciativë.
“Jam takuar me ambasadorin e Bashkimit Evropian, janë të njoftuar për nismën e re ligjore. Do t’ju drejtohemi sot edhe me shkrim zyrtarisht, ne i ftojmë sërish që të vijnë në konsultime”, ka thënë ajo.
Çitaku ka mohuar se përmes kësaj iniciative synohet mbyllja e Dhomave të Specializuara apo pengimi i procesit gjyqësor në Hagë. Sipas saj, qëllimi i ndryshimeve ligjore është garantimi i një procesi të drejtë dhe respektimi i standardeve evropiane të drejtësisë.
“Nuk po synojmë që përmes nismës së re ligjore as ta mbyllim gjykatën e as ta minojmë procesin atje. Për ne është e rëndësishme që përmes ndryshimeve që do të bëhen në ligj, të garantohet një proces i drejtë dhe të respektohen vetë standardet evropiane për një proces gjyqësor”, shtoi Çitaku.






