Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka uruar të gjithë pjesëtarët ushtarakë dhe personelin civil me rastin e 27 Nëntorit – Ditës së Forcës.
Në mesazhin e tij, Jashari ka shprehur mirënjohje për angazhimin dhe përkushtimin e pjesëtarëve të FSK-së, duke vlerësuar kontributin e tyre në shërbim të vendit.
Ai ka theksuar se falë punës së palodhshme të tyre, FSK-ja ka avancuar në përgatitje dhe kapacitete, duke forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në shërbim të paqes dhe sigurisë.
Komandanti ka kujtuar gjithashtu sakrificën e brezave që kontribuuan për lirinë e Kosovës, duke falënderuar të gjithë pjesëtarët për punën në ngritjen dhe zhvillimin e mëtejmë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në fund të urimit, Jashari ka përcjellë mesazhin e tij për të gjithë pjesëtarët e FSK-së: “Urime Dita e Ushtrisë për ju, djem dhe vajza të shkëlqyer të ushtrisë sonë!”






