Kelmendi kritikon pushtetin: S’ka bashkëpunim me bizneset

- Advertisement -

Afaristi Ramiz Kelmendi, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti, duke theksuar se mungesa e stabilitetit institucional vitin e fundit, po ndikon drejtpërdrejt në dobësimin e ekonomisë së vendit.

Në deklaratën që ka bërë Kelmendi, në emisionin Rubikon, tha se qeveria jo funksionale nuk është në gjendje të zhvillojë procese të rregullta tenderimi. Derisa sektorët që varen nga investimet publike, sipas tij janë më të goditurit nga kjo situatë e krijuar.

“Një qeveri jo funksionale nuk mund të shpallë tender të mirëfilltë dhe ata që kryejnë punë institucionale, pra rrugë e ndërtime pësojnë më së shumti kurse ne që varemi nga qytetarët nga bizneset tona dhe nga vetë organizimi jonë nuk e ndiejmë shumë por ajo ndikon psikologjikisht”, deklaroi Kelmendi.

Sipas tij, rënia e financimeve publike ndikon zinxhir në të hyrat shtetërore, përfshirë TVSH-në dhe doganat, duke çuar në zvogëlim të buxhetit të përgjithshëm.

“Zvogëlimi i të hyrave nga financimet publike njëkohësisht e zvogëlojnë edhe TVSH-në dhe doganën, automatikisht reduktohet buxheti. Reduktimi i buxhetit pastaj krijon presione të institucioneve të grumbullimi te mjetet financiare që pastaj ato reflektojnë duke mbledhë të hyra të jashtëzakonshme me presione të caktuara”, tha Kelmendi në Rubikon.

Sipas Kelmendit, mungesa e bashkëpunimit mes qeverisë dhe organizatave të biznesit po e dëmton më së shumti ekonominë  e vendit. Sipas tij, institucionet nuk po tregojnë fare gatishmëri për dialog me sektorin privat.

Ai po ashtu, ka kritikuar diskursin e përdorur nga Qeveria Kurti, ku bizneset etiketohen si “oligarkë” duke theksuar se kjo përkeqëson edhe më tej raportet mes palëve .

“Dëmi më i madh është se qeveria nuk po bashkëpunon me asociacionet organizative të bizneseve, nuk po pranon komunikimin me bizneset aktuale. Kjo për shkak të gjuhës se a jemi apo nuk jemi oligark, e kjo nuk i jep të drejtë institucioneve qeveritare me u hakmerr. Institucionet juridike që i udhëheqë kjo qeveri janë ato që e përcaktojnë a je fajtor a s`je fajtorë, derisa nuk përcaktohet fajësia nga institucionet ligjore ti nuk mund ta akuzosh askënd dhe nuk mund ta refuzosh nga largësia”, tha Kelmendi.

Të ngjashme

Të fundit