Sezoni debutues i Jude Bellingham për Real Madridin ka qenë përtej mbresëlënës deri më tani, gjë që e bën atë favoritin me shanse për të fituar çmimin e Topit të Artë 2024.
Megjithatë, ai nuk është i vetmi lojtar i Real Madridit në top dhjetëshen. Aty është edhe Vinicius Junior ndër pretendentët për ta fituar.
Përveç tyre nuk mungojnë emra tjerë si Kylian Mbappe, Erling Haaland dhe Phil Foden.
Është faqja sportive Goal, e cila ka publikuar një dhjetëshe të lojtarëve me gjasat më të mëdha për ta fituar.
Ylli i Real Madridit, Bellingham, momentalisht llogaritet si favorit për të fituar Topin e Artë këtë vit, duke lënë pas vete Mbappen.
Në pozitën e tretë vjen Haaland, ndërsa pas tij Foden, Rodri, Harry Kane, Mohamed Salah, Vinicius Junior, Antoine Griezmann dhe Bukayo Saka.
Në rreth tre muaj deri në fund, mund të jemi dëshmitarë të ndryshimeve të lehta në renditje pasi pjesa më e rëndësishme e sezonit sapo ka filluar.
Rezultatet e Ligës së Kampionëve, si dhe Euro 2024 dhe Copa America, do të formojnë ekuilibrin e fuqive.