Fratini kërkon më shumë minuta për Zhegrovën: Ka cilësi të rralla

- Advertisement -

Vëzhguesi i talenteve dhe ndërmjetësi i transferimeve, Michele Fratini, ka bërë thirrje që Edon Zhegrova të aktivizohet më shpesh te Juventusi.

Në një intervistë për “Radio Bianconera”, në emisionin “Fuori di Juve”, Fratini foli fillimisht për situatën e Juventusit në merkaton e transferimeve dhe mundësinë e transferimit të Mauro Icardit, përpara se të komentonte edhe rolin e Zhegrovës.

Sipas tij, sulmuesi kosovar meriton një rol më të rëndësishëm në formacionin e drejtuar nga Luciano Spalletti, pasi zotëron aftësi individuale që nuk i has shpesh te lojtarët e tjerë.

“Për mua, Zhegrova duhet të luajë. Njëzet minuta janë vetëm një periudhë pushimi. Ai ka cilësi, e kalon kundërshtarin, e mbyll aksionin dhe zotëron shumë aftësi që vetëm pak lojtarë i kanë”, deklaroi Fratini.

Ai nënvizoi se vazhdimësia është e vetmja mangësi e Zhegrovës dhe i kërkoi Spallettit t’i besojë më shumë minuta.

“Duhet ta aktivizojnë, sepse asaj që i mungon është vetëm qëndrueshmëria. Gjithsesi, le ta lëmë të luajë”, shtoi ai.

Fratini u ndal gjithashtu te Alajbegoviçi, për të cilin vlerësoi potencialin, ndërsa në analizën e tij për Juventusin veçoi rëndësinë e Kenan Yildizit.

“Nëse arrin të jetë i qëndrueshëm, ai mund të shndërrohet në një lojtar kyç. Në këtë moment, më shumë se çdo tjetër, Juventusit i mungon Yildiz. Arsyeja është se ai përfaqëson talentin e vërtetë të skuadrës”, u shpreh Fratini.

Vëzhguesi e cilësoi Yildizin një talent të veçantë, me mundësi për t’u renditur mes futbollistëve më të spikatur në Itali dhe Evropë.

“Për mendimin tim, në atë rol ai është një talent i jashtëzakonshëm, si në Itali, ashtu edhe në Evropë. Montella ka parë shumë lojtarë të mëdhenj dhe, kur flet për të, e përshkruan si një fenomen të rrallë. Kjo duhet të ketë domethënie. Ai është gjysma e Juves”, përfundoi Fratini.

Të ngjashme

Të fundit