Përzgjedhësi i Brazilit, Carlo Ancelotti, do të rikthehet në “San Siro” më 6 dhjetor, para ndeshjes së Serie A mes Milanit dhe Parmës, për t’u përfshirë në “Sallën e Famës” të klubit kuqezi.
Ancelotti është përzgjedhur si njëri prej tre mesfushorëve më të mirë në historinë e Milanit dhe do të marrë një çmim të veçantë në këtë ceremoni.
Klubi italian ka konfirmuar se ai do të jetë i pranishëm për ta pranuar çmimin, të dizajnuar nga kompania e njohur “Tiffany & Co”, nga ish-bashkëlojtari i tij, Daniele Massaro, para fillimit të ndeshjes.
Zgjedhja e kësaj ndeshjeje është mjaft simbolike, pasi Parma është klubi i qytetit të lindjes së Ancelottit dhe një tjetër skuadër ku ai ka luajtur gjatë karrierës së tij.
Edhe pse shumica e tifozëve e kujtojnë mbi të gjitha për sukseset e jashtëzakonshme si trajner i Milanit, Ancelotti ishte gjithashtu një pjesë shumë e rëndësishme e skuadrës që fitoi gjithçka nën drejtimin e Arrigo Sacchit.
Ai e veshi fanellën e Milanit nga viti 1987 deri në vitin 1992, kur i dha fund karrierës si futbollist.
Gjatë kësaj periudhe zhvilloi 160 paraqitje, duke shënuar 11 gola dhe dhuruar 12 asistime.
Me fanellën kuqezi, Ancelotti fitoi dy Kupa të Evropës, dy tituj të Serie A, dy Superkupa të Evropës, një Kupë Interkontinentale dhe një Superkupë të Italisë.
Më pas, ai u rikthye në “San Siro” si trajner, duke drejtuar Milanin nga viti 2001 deri në vitin 2009.
Gjatë kësaj periudhe të artë, Ancelotti fitoi dy trofe të Ligës së Kampionëve, një titull të Serie A, dy Superkupa të Evropës, një Kupë të Botës për Klube, një Kupë të Italisë dhe një Superkupë të Italisë.






