Mijëra qytetarë janë mbledhur edhe sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Për mobilizimin e madh të qytetarëve dhe veçanërisht të të rinjve, në “Edicionin Special” të Klan Kosovës ka folur historiani Genc Prelvukaj, i cili tha se brezi i ri po filtron narrativat e së kaluarës dhe po e vlerëson, sipas tij, kontributin e UÇK-së në çlirimin e Kosovës.
“Me ndryshimin e brezit ato filtrohen dhe ai brez nuk është i ngarkuar pastaj nga çështje të politikës ditore dhe e vë në pah kontributin e disa njerëzve.”
“Rinia nuk është e ngarkuar ndoshta me ato përplasjet politike konkurruese dhe ndoshta me disa spjegime që duken banale dhe i filtron ato duke kthyer në lavdi apo në përshkrime të lavdishme për ushtrinë”, deklaroi ai.
Ai theksoi se, sipas tij, përpjekjet për ta njollose të historisë ka pasur edhe në periudha të tjera historike.
“Në asnjë fazë historike të mëvonshme ato nuk kanë zënë vend tek shpirti i popullit apo dhe tek librat e historisë, po janë filtruar derisa vepra e tyre ka mbetur e pacenuar.”
Duke folur për UÇK-në, Prelvukaj tha se brezi i ri po e vendos në fokus kontributin e atyre që, sipas tij, u rreshtuan në periudhën më të vështirë për shqiptarët e Kosovës.
“Brezi i ri i filtron ato dhe e vë në piedestalin më të lartë kontributin e njerëzve që janë rreshtuar në kohën më të vështirë të shqiptarëve si popull”, deklaroi ai./






