6.6 C
New York
Friday, March 29, 2024

Buy now

Reçaku, William Walker dhe liria e Kosovës

- Advertisement -

Shkruan: Lulzim Nika

Këtë të diele bëhen 24 vite nga masakra e Reçakut që tronditi dhe tmerroi Kosovën por e ndërgjegjësoi dhe alarmoi botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare që të veprojë kundër shtetit kriminale serbe.
Po bëhen 24 vite, nga masakra e Reçakut pa u dënuar krimi serb. Historia e popullit shqiptar gjatë shekujve, ishte një përpjekje për mbijetesë në trojet tona etnike, dhe që u bë shënjestër e përhershme e politikës hegjemoniste serbe.
Ideja e Serbisë së Madhe u përkrah edhe nga politika shtetërore serbe, që prej themelimit të shtetit serb. Dhe, kjo ide do të mbështetet edhe në programet e themeluesit të gjuhës letrare e të letërsisë së re serbe. Vuk S.Karaxhiq, thotë : ”Aty ku jeton qoftë edhe një serb, atje është tokë serbe”!

Programi i parë kombëtar serb, në të cilin përpunohej ideja e Serbisë së Madhe, është e ashtuquajtura “Naçertanija”e Ilija Garshaninit, prej vitit 1843 e deri në vitin 1852, që ishte Ministër i Punëve të Brendshme dhe Kryetar i Qeverisë Serbe. Këto ambicie kishin filluar të  sëndërtoheshin me masakra dhe dëbime të shqiptarëve prej trojeve shekullore nga Nishi, Vranja, Toplica, Prokupla  e Leskovci, në vitet 1876 -1878.

Fatkeqësisht, kjo u përsërit edhe gjatë vitit 1999, ku Shteti serb kundër shqiptarëve  të Kosovës përdori metoda mizore dhe mesjetare për zhdukjen e tyre nga Kosova. Masakrat çnjerëzore që po ndodhnin në Kosovë morën përmasa tragjike për tërë botën e civilizuar

Kosova ka përjetuar tmerret më të mëdha nën pushtimin e Serbisë, por dhembja dhe lufta e saj nuk ishte trajtuar, thuajse asnjëherë, seriozisht nga qendrat e vendosjes ndërkombëtare. Kështu, edhe pse në tetor të vitit 1998, u nënshkrua marrëveshja Hollbruk-Millosheviq, nuk u respektua asnjëherë. Krimet e ushtrisë serbe vazhduan në gjithë territorin e Kosovës. Kulmi i shkeljes së marrëveshjes për armëpushim që me 15 janar 1999, kur në Reçak u vranë në mënyrën më mizore 45 gra, pleq e fëmijë.

Për këtë ngjarje, kryesuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker doli para opinionit publik dhe deklaroi: “Ky është krim kundër njerëzimit!”. Ky vlerësim real, objektiv dhe i guximshëm për kohën dhe rrethanat, i William Walkerit, ishte jashtëzakonisht domethënës dhe kishte ndikim të fuqishëm në qendrat e vendosjes ndërkombëtare, meqë barbaria serbe po dëshmohej para syve të botës mbarë!

Pas krimit serb në Reçak dhe pas deklaratës së William Walkerit, bota filloi ta perceptojë me më shumë objektivitet, agresionin dhe gjenocidin serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Ky fakt i dha fuqi më të madhe morale UÇK-së dhe luftës së saj të drejtë për çlirim nga sundimi serb. Në të njëjtën kohë, ky rast ndikoi fuqishëm në ndërkombëtarizimin e luftës në Kosovë dhe sidomos në afirmimin e kauzës së drejtë të luftës çlirimtare të UÇK-së. Më 18 mars 1999, viktimat e masakrës së Reçakut, kishin qenë të gjithë civilë të paarmatosur dhe vrasja e tyre ishte quajtur “krim kundër njerëzimit”.

Kështu kishte deklaruar  edhe ekipi ndërkombëtar që ishte marrë me ekzaminimin e 40 kufomave të masakrës së Reçakut. Kryesuesja e ekipit, Helena Ranta, kishte bërë këtë deklaratë që ishte në kundërshtim me raportin zyrtar serb dhe ishte në përputhje të plotë me pohimin e William Walkerit, në ditën e masakrave: “Forcat e sigurisë serbe kanë masakruar civilët shqiptarë“.

Kështu, William Walker, dëshmoi para krejt botës për këtë masakër, të cilën e konfirmoi edhe ekspertja Helena Ranta. Tanimë, Fuqitë e mëdha, ishin të obliguara edhe moralisht, që të ndërhynin ushtarakisht, në emër të humanizmit për të ndihmuar popullin shqiptar, në ditët më të vështira të tij.

Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!
I përjetshëm qoftë kujtimi, respekti i kombit për ta!

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit