Rashiq: Lista Serbe nuk reagon pa marrë udhëzime nga Beogradi, mund të ketë dorëheqje të kryetarëve të komunave

- Advertisement -

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka folur për rolin e Listës Serbe dhe qëndrimin e saj pas zhvillimeve të fundit politike në Serbi.

Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Rashiq ka deklaruar se Lista Serbe, sipas tij, nuk vepron pa udhëzime nga Beogradi, duke shtuar se përfaqësuesit e saj po presin që situata politike në Serbi të qartësohet.

“Lista Serbe, ata janë të formuar, ata janë një mjet dhe nuk kanë reaguar, sepse nuk u është thënë të reagojnë. Ju e dini se, nëse gjeni ndonjë gazetar që ka marrë deklaratë nga secili prej tyre, për çfarëdo çështjeje, unë ju jap dorën. Por, pa qenë të udhëzuar nga zyrat, deri më tani nuk kemi pasur asnjë deklaratë”, ka thënë Rashiq.

Ai ka shtuar se përfaqësuesit e Listës Serbe do të vazhdojnë të heshtin derisa të marrin udhëzime nga lart dhe të qartësohen zhvillimet politike në Beograd.

“Ata nuk do të bëjnë asnjë zë derisa të mos u dërgohet diçka nga lart. Ata do të përpiqen të mbijetojnë në këtë moment, derisa të qartësohet situata në Beograd dhe të vazhdojnë të udhëheqin”, është shprehur Rashiq.

Gjatë intervistës, ministri ka folur edhe për mundësinë e dorëheqjes së kryetarëve të komunave në Kosovë që udhëhiqen nga Lista Serbe.

“Ka dalë informacioni se është e mundur të japin dorëheqje kryetarët e komunave të udhëhequra nga Lista Serbe në Kosovë”, ka deklaruar Rashiq.

Megjithatë, mundësia e dorëheqjeve është paraqitur nga Rashiq si informacion, pa u konfirmuar në deklaratën e tij se një vendim i tillë është marrë.

Të ngjashme

Të fundit