20 milionë euro shtesë ndahen për pensionet bazike, ndryshohet buxheti i vitit 2026

- Advertisement -

Buxheti i Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare është plotësuar me 20 milionë euro shtesë për mbulimin e kostos së pensioneve bazike.

Kjo ndarje është bërë përmes Ligjit Nr. 11/L-013 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, raporton IndeksOnline.

Sipas nenit 6 të këtij ligji, 20 milionë euro shtohen në buxhetin e Departamentit të Pensioneve, në kategorinë e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”, me qëllim të mbulimit të kostos për pensionet bazike.

Kjo shumë paraqet shtesë mbi ndarjen ekzistuese buxhetore për vitin 2026 dhe është dedikuar për financimin e pensioneve bazike.

Në tabelat fiskale të buxhetit, shpenzimet e përgjithshme për subvencione dhe transfere në vitin 2026 janë parashikuar në 1 miliard e 378.1 milionë euro, kategori në të cilën përfshihen edhe pagesat e ndryshme.

Megjithatë, ligji nuk parasheh rritje të shumës individuale të pensionit bazik dhe nuk përcakton ndryshim të skemës së pensioneve.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave, mbi 200 mijë banorë janë përfitues të skemës pensionale.

 

Të ngjashme

Të fundit