Debati për rikthimin e Mbretërisë së Bashkuar në BE, Tony Blair jep këshilla, ide dhe kushte

- Advertisement -

Ish-kryeministri britanik, Sir Tony Blair, ka deklaruar se Britania e Madhe duhet t’i bashkohet sërish Bashkimit Evropian vetëm nëse ky i fundit ndërmerr reforma dhe mundëson më shumë inovacion në fushën e teknologjisë.

Në një intervistë për gazetën The Sunday Times, Blair tha: “Më është atribuuar qëndrimi se Britania duhet thjesht të kthehet dhe të ribashkohet me BE-në – por unë nuk po them këtë. Kjo është e kushtëzuar nga shumë faktorë.”

Blair ishte një nga kundërshtarët e njohur të largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja dhe për gazetën deklaroi: “Unë vërtet besoj se Brexit ishte një gabim i madh.”

Megjithatë, ai shtoi se debati sot është ndryshe nga ai i vitit 2016.

Duke iu referuar nevojës për inovacion teknologjik, ai tha se Evropa mund të jetë duke lëvizur, dhe “me shumë gjasë po lëviz”, në drejtimin e gabuar.

Ai u shpreh: Problemi me rikthimin tonë në Evropë është ky: nuk mund të them se revolucioni teknologjik është çështja më e rëndësishme dhe, në të njëjtën kohë, nëse Evropa po shkon në drejtimin e gabuar sa i përket inovacionit teknologjik, gjë që mund të ndodhë dhe që aktualisht me shumë gjasë po ndodh, atëherë rikthimi i Britanisë në BE nuk është domosdoshmërisht ide e mirë. Kjo është ajo që ka ndryshuar gjatë dhjetë viteve të fundit.”

Ai argumentoi se Britania duhet të ketë si synim reformimin e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, shtoi se vendi duhet të jetë “i gatshëm të tërhiqet nga negociatat” dhe se duhet ta bëjë ekonominë dhe sektorin e vet teknologjik më të fuqishëm.

Kryeministri Andy Burnham arriti këtë javë një marrëveshje me BE-në, të cilën e cilësoi si një marrëveshje “me përfitime për të dyja palët”.

Marrëveshja përfshin eksportet britanike të produkteve ushqimore, tregtimin e emetimeve të karbonit dhe një skemë për përvojën e të rinjve.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi gjithashtu se blloku evropian dhe Britania e Madhe po nisin një partneritet digjital, i cili përfshin fusha si inteligjenca artificiale (IA) dhe teknologjia kuantike.

BE-ja dhe Britania e Madhe “kanë potencial të jashtëzakonshëm për të inovuar së bashku”, shtoi ajo.

Sa i përket inteligjencës artificiale, Blair tha se “IA-ja është si zjarri – mund ta përdorësh për të gatuar ushqimin, por edhe për të djegur shtëpinë”.

Ai shtoi se rreziqet nga inteligjenca artificiale janë “shumë të konsiderueshme” dhe se teknologjia “mund të përdoret për të mirë ose për të keq”.

“Është një botë e re”, tha ai.

Megjithatë, Blair shprehu shqetësimin se Britania e Madhe nuk ka të njëjtin “dinamizëm” dhe “energji” si vendet e tjera kur bëhet fjalë për sektorin e teknologjisë, i cili po ndryshon me shpejtësi.

Burnham ishte të premten në Bruksel për të finalizuar fazën e fundit të procesit të “rivendosjes” së marrëdhënieve të qeverisë britanike me BE-në pas Brexit-it, proces ky që filloi fillimisht gjatë mandatit të paraardhësit të tij, Sir Keir Starmer.

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, tha se BE-ja mbetet “e hapur për të pasur marrëdhënien më të afërt të mundshme” me Britaninë e Madhe.

Kryeministri shtoi se, përtej marrëveshjes së arritur, “duhet të shqyrtojmë se cila është marrëdhënia e duhur afatgjatë”.

Ai tha se gjatë muajve të ardhshëm, përpara samitit të ardhshëm BE-Britani e Madhe, të dyja palët do të “zhvillojnë një proces joformal të diskutimeve dhe shkëmbimit të ideve” për të shqyrtuar mundësitë e ardhshme.

Megjithatë, ai nuk shkoi deri aty sa të diskutonte mundësinë e rikthimit të Britanisë së Madhe në BE.

Liderja e konservatorëve, Kemi Badenoch, deklaroi se marrëveshja mes Britanisë së Madhe dhe BE-së “nuk është e drejtë”, ndërsa Nigel Farage nga partia Reform e cilësoi atë si një “tradhti ndaj popullit britanik”.

Në fillim të këtij viti, Blair i kishte bërë thirrje kryeministrit Andy Burnham që të rifillonte negociatat për mundësinë e rikthimit të Britanisë së Madhe në BE, por duke vendosur disa kushte.

Në një dokument të publikuar në shtator nga Instituti Tony Blair për Ndryshime Globale, ish-kryeministri shkroi:

“Duhet ta bëjmë të qartë se dëshirojmë të rikthehemi në një marrëdhënie formale me BE-në. Por kjo duhet të jetë një Evropë që ndjek një rrugë të besueshme drejt reformimit.”

“Kjo nuk ka të bëjë me rihapjen e debateve të vitit 2016, por me një qasje të re, të bazuar në realitetin e vitit 2026”, shtoi ai.

Të ngjashme

Të fundit