Ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë mbetur me vetëm pak ditë në dispozicion për të dorëzuar njoftimet e tyre për apel kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë, pasi afati përfundimtar skadon më 27 nëntor, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo datë është vendosur nga Paneli i Apelit më 29 shtator 2026, pas shqyrtimit të kërkesës së mbrojtjes për zgjatjen e afatit. Fillimisht, afati për njoftimet e apelit ishte caktuar për 16 tetor, mirëpo ekipet e mbrojtjes kishin kërkuar shtyrje deri më 15 dhjetor, duke argumentuar kompleksitetin dhe gjatësinë e aktgjykimit, ngarkesën me afate të tjera procedurale, si dhe mungesën e përkthimit të vendimit në gjuhën shqipe.
Paneli i Apelit e miratoi pjesërisht këtë kërkesë, duke dhënë një zgjatje prej gjashtë javësh dhe duke e fiksuar 27 nëntorin si afatin e fundit për të dyja palët. Aktgjykimi i shkallës së parë numëron plot 2 mijë e 89 faqe, duke u cilësuar nga vetë gjykata si vendimi më voluminoz i nxjerrë deri më sot nga Dhomat e Specializuara.
Kujtojmë se më 16 shtator, trupi gjykues i Gjykatës Speciale shpalli fajtorë për krime lufte ish-krerët e UÇK-së, duke i dënuar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi, me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet, dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim, ndërsa të katërt u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Ky vendim nuk është i formës së prerë dhe i nënshtrohet procedurës së apelit.
Me dorëzimin e njoftimeve deri më 27 nëntor, palët obligohen të specifikojnë pjesët e aktgjykimit që synojnë t’i kontestojnë. Pas këtij hapi, atyre u hapet një afat tjetër prej 60 ditësh për të dorëzuar dosjet e plota të apelit, ku do të shtjellohen në detaje argumentet ligjore.
Paralelisht me zhvillimet në Hagë, priten lëvizje edhe në nivel institucional në Kosovë. Institucionet e vendit do të punojnë javën e ardhshme në një ligj të ri që përcakton dhe përkufizon dispozitat dhe kompetencat e Dhomave të Specializuara, ndërkohë që Qeveria tashmë ka themeluar grupin punues shtetëror për apelimin e vendimit të Hagës, i cili deri më tani ka zhvilluar dy takime.






