Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për, siç tha ai, mungesën e mbështetjes për qytetarët që kanë pësuar dëme nga vërshimet, duke e krahasuar këtë me ndihmën financiare që ekzekutivi i ka ndarë Bosnjë e Hercegovinës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ramadani e cilësoi situatën si skandaloze dhe ngriti pyetjen se për kë po kujdeset Qeveria e Kosovës.
“Skandaloze bre… për kënd kujdeset Qeveria e Kosovës? Nuk kompenzojnë popullin e Kosovës për vërshimet, por i dërguan para Bosnjës për vërshime. Që nga viti 2022, qytetarët e Kosovës nuk marrim asgjë nga Qeveria e vet për dëmet e vërshimeve. Por, në 11 tetor 2024 po kjo Qeveri i çon 200 mijë euro Bosnjës pikërisht për vërshimet”, ka shkruar Ramadani.
Ai e përfundoi reagimin e tij me një pyetje drejtuar Qeverisë.
“Çka i ka bë populli i Kosovës more këtyre?”, ka shkruar Ramadani.






