Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë së bashku me bizneset anëtare organizoi një bashkëbisedim me Drejtorin Gjeneral të Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, rreth sfidave me të cilat përballen bizneset dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Kryetari i Bordit, Skender Krasniqi, tha se bizneset presin që sa më shpejt të konstituohen institucionet, në mënyrë që të adresohen çështjet që, sipas tij, po i pengojnë prodhuesit vendorë.
Ai theksoi se një nga kërkesat kryesore të Dhomës së Tregtisë, e përsëritur tash e dhjetë vjet, është çështja e TVSH-së, e cila sipas tij, është një sfidë për bizneset.
“Urojmë që sa më shpejt t’i kemi institucionet, Kuvendin dhe Qeverinë, në mënyrë që t’i adresojmë të gjitha këto çështje. Si Dhomë e Tregtisë, në kontinuitet tash e 10 vjet kemi kërkuar që TVSH-ja të paguhet me inkasim e jo me faturim. Kjo është pengesa që po na krijohet neve, sidomos kur po flasim për prodhuesit. Ka shumë çështje që duhet të adresohen dhe ku duhet të ndërhyhet me urgjencë për t’i ndryshuar”, u shpreh Krasniqi.
Ndërkaq, drejtori gjeneral i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, shpalosi angazhimet e institucionit që drejton dhe gatishmërinë për vazhdim të komunikimit dhe bashkëpunimit me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë.
Drejtori Llugaliu përmendi masat e ndërmarra për lehtësimin e tregtisë me Shqipërinë, ku është duke u punuar për krijimin e një zyre të përbashkët doganore me Shqipërinë, e cila, sipas tij, do ta lehtësojë dhe përshpejtojë procesimin e eksporteve mes dy vendeve.
Ai theksoi se kjo do të mundësojë zgjidhjen më të shpejtë të problemeve në rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Në takim bizneset adresuan sfidat me të cilat po përballen, duke nisur nga procedurat doganore, lehtësimin e tregtisë dhe sfidat me të cilat përballen në aktivitetin e tyre të përditshëm.
Po ashtu bizneset shprehen shqetësimet e tyre për disa mallra të importuara për lëndën e parë të prodhimit që kanë akcizë të lartë.
Derisa drejtori i Doganës, premtoi adresimin e të gjitha problematikave në mënyrën duhur, në bazë të legjislacionit në fuqi dhe në afat sa më të shpejt






