53 deputetë në Serbi kërkojnë shkarkimin e ministres Snezhana Paunoviq pas deklaratës për shqiptarët

- Advertisement -

Një grup prej 53 deputetësh të opozitës në Serbi kanë dorëzuar kërkesë zyrtare për shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj për “spastrimin etnik” të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Sipas tij, iniciativën e kanë nisur Grupi Parlamentar i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik, ndërsa asaj iu bashkuan edhe 47 deputetë të tjerë të opozitës.

Kamberi tha se kërkesa i është dorëzuar kryeministrit serb, Gjuro Macut, me kërkesën që t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e Paunoviqit.

“Kryeministri ka përgjegjësi politike dhe institucionale të reagojë dhe të dëshmojë se në Qeverinë e Serbisë nuk ka vend për një ministre që mbron idetë e dëbimit të njerëzve mbi bazën e përkatësisë së tyre kombëtare”, ka deklaruar Kamberi.

Ai paralajmëroi se, nëse Macut nuk vepron, do të marrë përgjegjësinë politike për vazhdimin e mandatit të ministres dhe, sipas tij, për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë.

Kamberi kritikoi gjithashtu partitë e pakicave që janë pjesë e qeverisë serbe, duke thënë se ato nuk e mbështetën nismën për shkarkimin e Paunoviqit./Arbresh.info

Të ngjashme

Të fundit