Ramadani: Bllokada në Kuvend, goditje për investimet e huaja

- Advertisement -

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, sërish ka reaguar për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, ai ka përmendur dëmet që sipas tij, po përballet vendi, si pasojë e ditës së nëntë të bllokadës.

“Derisa Kuvendi, përkatësisht Kosova është thelluar në bllokadën e re, investimet e huaja direkte janë temë e harruar.”, ka shkruar ai.

Ramadani ka thënë se askush nuk ka interesim të investojë në një vend që nuk ka stabilitet.

“Kompanitë e mëdha evropiane e botërore po hapin degët e tyre në rajonin tonë, por jo në Kosovë. Fqinjët na janë larguar tashmë disafish në nivelin e ekonomisë, vetëm ne kemi mbetur në stagnim, rrjedhimisht në dobësim.”, ka thënë Ramadani.

Ai ka akuzuar partinë në pushtet se po pamundëson konstituimin e legjislativit të vendit.

“Vetëvendosje ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit. Kështu ka bllokuar Qeverinë e re, për të cilët Kuvendi do të mbante kontrollin dhe kërkonte përgjegjësi e llogaridhënie për politikat e saj.”, ka shkruar deputeti i Aleancës.

Të ngjashme

Të fundit