Përparim Rama, Kryetar i Komunës së Prishtinës, i ka kërkuar drejtoreshës së BIRN Kosova, Jeta Xharra, që të tregojë se kush është dhe çfarë bashkëpunimi ka me llogarinë e Facebook-ut “Lule Gjeli” – e afërt me Vetëvendosjen – ose përndryshe kryeqyteti do të ndërpresë të gjitha bashkëpunimet që ka me Kallxo.com dhe të gjitha platformat e tjera që drejtohen nga Xharra.
Rama i ka dhënë ultimatum Xharrës deri të hënën që të japë përgjigje për çështjet që i ka ngritur.
Këto komente, Rama i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që të premten u kuptua se një shkrim me autor “Lule Gjeli” – llogari e cila denigron, linçon e propagandon kundër të gjithë atyre që kritikojnë Qeverinë e Albin Kurtit – ishte publikuar në median që e drejton Xharra, në Kallxo.com.
“Publikimi i analizës nga profili famëkeq fiktiv ‘Lule Gjeli’ në Kallxocom, medium që drejton Jeta Xharra, është alarm i frikshëm për shkelje të rëndë të standardeve etike dhe ligjore dhe ngre pikëpyetje serioze që meritojnë përgjigje të qarta dhe publike!”, shkroi Rama.
Në emër të transparencës dhe llogaridhënies publike, Rama i ka bërë thirrje BIRN Kosovës, Kallxocom, Internews Kosova dhe drejtoreshës Jeta Xharra që të sqarojnë publikisht këto çështje:
“1. Kush është autori me emrin “Lule Gjeli”?
2. Çfarë bashkëpunimi tjetër kanë pasur me Lule Gjeli?
3. Në cilën periudhë kohore ka bashkëpunuar me të, sa ka zgjatur ky bashkëpunim, a është paguar ajo/ai për publikimet e saj dhe me çfarë fondesh është paguar?
4. A ka qenë ndonjë politikan i përfshirë në diskutimet gjatë angazhimit të Lule Gjelit në publikimin e “opinioneve” pro qeveritare?
5. A do t’i kërkoni falje qindra viktimave, një prej të cilave jam edhe unë, për dëmin që u ka shkaktuar profili Lule Gjeli?”, janë çështjet që Rama kërkoi sqarim.
I pari i kryeqytetit theksoi se pret reagim dhe sqarim publik më së largu deri të hënën.
“Deri atëherë, dhe derisa këto çështje të jenë sqaruar plotësisht, në mënyrë transparente dhe bindëse, Kryeqyteti do të rishqyrtojë çdo formë të bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale me BIRN Kosovën. Nëse sqarimet nuk i përmbushin standardet e transparencës që qytetarët meritojnë, do të kërkoj ndërprerjen e çdo bashkëpunimi institucional me BIRN Kosovën”, paralajmëroi ai.
Ai theksoi se institucionet publike kanë detyrim të mbrojnë jo vetëm resurset publike, por edhe interesin publik dhe besimin e qytetarëve.
“Për këtë arsye, Kryeqyteti nuk mund të vazhdojë të ofrojë mbështetje institucionale për asnjë organizatë ndaj së cilës ekzistojnë dyshime serioze dhe të pazgjidhura lidhur me përkushtimin e saj ndaj interesit publik, llogaridhënies demokratike dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës”, potencoi ai.
Paraja publike dhe hapësirat publike, Rama pohoi se u përkasin qytetarëve. “Ato administrohen ekskluzivisht në funksion të interesit të tyre dhe nuk mund të vihen në dispozicion të askujt derisa të jenë adresuar dhe sqaruar plotësisht çështjet që cenojnë besimin publik!”.
Të shtunën, VOX Kosova, nga burimet e saj në organet e rendit, raportoi se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet ndaj llogarisë “Lule Gjeli”.
Dyshohet se pas kësaj llogarie në Facebook, qëndron Gent Prokshi, i afërt me eksponentë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ky profil ka përdorur format më të ulëta propaganduese ndaj personaliteteve të ndryshme. Madje, e kishte shpallur të vdekur ish-Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti






