Rama: Jemi të dashuruar me BE-në dhe duam të martohemi me të, jemi të fiksuar pas saj

- Advertisement -

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka rikonfirmuar objektivin strategjik të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, gjatë fjalës së tij në Forumin Botëror të Investimeve “Future Investment Initiative” (FII).

Rama e cilësoi BE-në si projektin më të guximshëm politik në historinë e njerëzimit, ndërsa përdori metaforën e një martese për të përshkruar aspiratën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, raporton A2cnn.

Sipas tij, shqiptarët janë të dashuruar me Evropën dhe, pavarësisht paralajmërimeve apo vështirësive që mund të shoqërojnë procesin e integrimit, vendi mbetet i vendosur për të realizuar këtë objektiv.

“Mendoj që BE është imagjinata më e mrekullueshme dhe më e mahnitshme dhe më e guximshme e njerëzimit, kur bëhet fjalë për politikën. Ne jemi të dashuruar me Evropën. Kështu jam i sigurt që shumë njerëz këtu e dinë, që kur bien në dashuri të gjithë thonë: ‘mos nxito të martohesh sepse ne e dimë se ç’është’”.

“Por kjo nuk do të të ndaloj të martohesh. Ne duam të martohemi me Evropën sepse është vendi i duhur për të qenë. Se si do të shpalosen gjërat është një histori tjetër, por ne e duam këtë martesë, jemi të fiksuar pas saj. Do t’ia arrijmë pavarësisht gjithçkaje dhe herët më shumë se vonë”, tha kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Të ngjashme

Të fundit