QKUK suspendon një punëtor teknik, merr masa ndaj 4 infermiereve

- Advertisement -

 

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se ka nisur hetim administrativ lidhur me rastin e raportuar në Klinikën e Pediatrisë, pas shqetësimeve të ngritura publikisht nga një familje për trajtimin e fëmijës së tyre.

 

Sipas njoftimit, drejtori i QKUK-së ka formuar një komision ad-hoc, i cili do të zhvillojë hetim të plotë administrativ për të verifikuar të gjitha rrethanat e rastit.

 

Hetimi do të përfshijë shqyrtimin e pretendimeve për trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, si dhe çdo lëshim të mundshëm, nga ato menaxheriale deri te ato teknike.

 

QKUK ka bërë të ditur se, pas verifikimeve fillestare, janë konstatuar disa parregullsi, përfshirë edhe ato që, sipas institucionit, pasqyrohen në fotografitë e publikuara.

 

Për këtë arsye, janë dhënë vërejtje ndaj personave përgjegjës në zinxhirin menaxherial, ndërsa është suspenduar përkohësisht edhe një punëtor i shërbimeve teknike.

 

Po ashtu, për të mundësuar zhvillimin e paanshëm të hetimit administrativ lidhur me pretendimet për trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, QKUK ka ndërmarrë masa të përkohshme administrative ndaj katër infermierëve.

 

Institucioni ka bërë të ditur se, pas përfundimit të hetimit, do ta informojë publikun për gjetjet e komisionit dhe masat që do të ndërmerren.

Të ngjashme

Të fundit