Pas një hetimi të gjatë dhe bashkëpunimi të ngushtë ndërkombëtar, autoritetet greke kanë arrestuar në Selanik dy persona dhe kanë sekuestruar rreth 325 kilogramë marihuanë, me destinacion Turqinë.
Operacioni është rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale të Republikës se Kosovës dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut e Greqisë.
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve, ka luajtur rol aktiv në shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin operacional që ka kontribuar në këtë rezultat.
Në kuadër të hetimit, në Republikën e Kosovës janë ndërmarrë veprime policore dhe procedurale, ndërsa rasti mbetet nën hetim.
Ky operacion dëshmon se krimi i organizuar nuk njeh kufij dhe se bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për goditjen e rrjeteve kriminale.
Policia e Kosovës, me mbështetjen e institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë, po dëshmon kapacitetet dhe profesionalizmin e saj në luftën kundër trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve.
Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfshirja e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, përfshirë INTERPOL-in, janë domosdoshmëri për një luftë edhe më efektive kundër krimit ndërkufitar.






