Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kritikuar ofertën që, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ia ka bërë LDK-së për përfshirje në Qeveri.
Gashi ka thënë se LDK-së, e cila në Kuvend përfaqësohet me 18 deputetë, i janë ofruar vetëm tri ministri dhe posti i zëvendëskryeministrit.
Duke e krahasuar këtë ofertë me përfaqësimin e komuniteteve jo-serbe, Gashi ka vënë në pikëpyetje proporcionalitetin e saj.
“Paramendoje, tri ministri dhe zëvendëskryeministri, aq sa i kanë minoritetet jo-serbe me tetë deputetë, e LDK-ja 18 deputetë. Çfarë logjike është kjo?”, ka deklaruar Gashi në një intërvistë për klankosova.
Ai ka ngritur gjithashtu dilema nëse një ofertë e tillë mund të konsiderohet e denjë dhe përfaqësuese për një parti si LDK-ja.
“A është e dinjitetshme si ofertë? A është ofertë përfaqësuese për LDK-në, një parti si LDK?”, është shprehur ai.
Deklaratat e Gashit vijnë në kuadër të diskutimeve për mundësinë e përfshirjes së LDK-së në formimin e institucioneve të reja dhe ofertës së LVV-së për bashkëpunim qeverisës.






