Mbrojtja këmbëngulëse e Real Betisit u shpërblye në fund, kur Troy Parrott përfitoi për të shënuar golin e fitores në minutat e vona, duke i dhënë skuadrës vendase triumfin 1-0 ndaj Real Madridit në La Liga.
Kjo fitore e zgjati në pesë ndeshje serinë e Betisit pa humbje ndaj Realit në shtëpi (2 fitore, 3 barazime).
Vendasit u detyruan të përballonin një ofensivë të hershme të “Los Blancos”, me skuadrën e José Mourinhos që kërkonte ta heshtte publikun.
Dean Huijsen pati rastin e parë të madh të ndeshjes, por edhe pse u shtri maksimalisht, arriti vetëm ta drejtonte një krosim të thellë drejt duarve të Álvaro Valles.
Portieri i Betisit mbeti i pafuqishëm vetëm pak minuta më vonë, por shtylla e shpëtoi.
Pas një kombinimi të bukur rreth zonës mes Kylian Mbappés dhe Arda Gülerit, Vinícius Júnior përfundimisht goditi shtyllën nga një kënd i vështirë.
Kjo dukej se i zgjoi vendasit, të cilët nisën të tregonin më shumë shenja jete. Antony ishte lojtari më i rrezikshëm i tyre, duke fituar një seri kornesh dhe duke e detyruar Thibaut Courtois të bëjë një pritje spektakolare në shtyllën e afërt.
Megjithatë, Betisit iu desh të tregonte sërish heroizma në mbrojtje pak para pushimit.
Natan dhe Marc Bartra bllokuan në vijën e portës goditjet e Mbappés, i cili dukej se do të shënonte pas pasimit altruist të Viníciusit.
Mbappé ishte pranë zhbllokimit të rezultatit menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë, kur një goditje e tij e harkuar përfundoi ngjitur me shtyllën.
Por Real Madridi e kishte të vështirë të ruante presionin dhe Betisi, edhe pse nuk po krijonte shumë rrezik në sulm, dukej shumë komod në mbrojtje.
I frustruar nga paraqitja e skuadrës së tij, Mourinho bëri një zëvendësim të trefishtë pak pas kalimit të një ore lojë.
Edhe Manuel Pellegrini reagoi me ndryshime dhe njëri prej tyre solli golin e avantazhit 10 minuta para fundit.
Courtois bëri mirë për ta ndalur, me një ndërhyrje në maksimum, goditjen me kokë të Nelson Deossas pas një korneri.
Por Parrott reagoi më shpejt se të gjithë dhe e dërgoi topin e kthyer në rrjetë nga afërsia, duke i dhënë Betisit epërsinë.
Drama, megjithatë, nuk kishte përfunduar.
Goli i barazimit i Carlos Espí u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it, ndërsa më pas një ndërhyrje e panevojshme dhe e pakujdesshme e Natanit ndaj Vinícius Júnior solli një penallti në minutat e thella të kohës shtesë.
Mbappé mori kohën e tij para ekzekutimit, por goditja e tij e dobët nga pika e bardhë u prit nga Valles, i cili vulosi tri pikët për Betisin.
Me këtë fitore, Betisi ngjitet në krye të La Ligës, në kuotën e nëntë pikëve, aq sa kanë edhe Real Madridi dhe Barcelona.
Ndërkohë, Mourinho pësoi humbjen e parë që nga rikthimi i tij në stolin e Real Madridit.
Një humbje që vështirë se mund të konsiderohet përgatitja ideale për debutimin e skuadrës së tij në Ligën e Kampionëve, ku në ndeshjen e parë do të përballet me një tjetër ish-skuadër të Mourinhos, Interin.






