Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar përmbledhjen mujore të aktiviteteve për muajin gusht 2026, duke raportuar gjithsej 281 ankesa të menaxhuara gjatë këtij muaji.
Sipas të dhënave të IPK-së, nga gjithsej 281 ankesa, 206 janë përfunduar, ndërsa 75 raste janë përcjellë për trajtim të mëtejmë në Departamentin e Hetimeve.
IPK-ja bën të ditur se gjatë gushtit janë menaxhuar mesatarisht 70 ankesa në javë, apo rreth 9 ankesa në ditë.
Në kuadër të aktiviteteve hetimore, gjatë këtij muaji janë evidentuar 5 kallëzime penale të parashtruara në Prokurorinë e Shtetit, 2 raporte për vepra të parashtruara në Prokurori dhe 9 raporte informuese.
Po ashtu, 32 raste janë proceduar në DHB, DPP-K dhe Arkivën e IPK-së, ndërsa janë dhënë edhe 6 rekomandime për suspendim dhe janë evidentuar 2 raste të tjera.
Katër inspektime në Policinë e Kosovës
Gjatë gushtit, IPK ka zhvilluar edhe aktivitete në fushën e inspektimit, me fokus në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, procedurave dhe standardeve profesionale në Policinë e Kosovës.
Inspektimet e zhvilluara përfshijnë menaxhimin e Qendrës së Ndalimit në Stacionin Policor të Rahovecit, kompensimet për orë shtesë gjatë rrugëtimit në punë, vlerësimin e performancës së stacioneve policore, si dhe trajtimin dhe efikasitetin e hetimit të rasteve të vjedhjeve në Han të Elezit.
Dy prej këtyre inspektimeve kanë përfunduar dhe janë në statusin final, ndërsa dy të tjera vazhdojnë të jenë në proces.
IPK-ja thekson se përmes këtyre aktiviteteve synon të forcojë llogaridhënien, efikasitetin dhe respektimin e standardeve profesionale në Policinë e Kosovës.






