Tashmë ka kaluar afati për konstituimin e Kuvendit. Të paktën kështu vlerësojnë shumica e njohësve të fushës dhe partitë si PDK, LDK-ja e Aleanca.
Megjithatë, tjetër mendim ka LVV-ja e Albin Kurtit, e cila më herët dërgoi ftesë për vazhdimin e seancës konstituive të shtunën, nga ora 11:00.
Thirrjeve të partive të tjera dhe të njohësve për konstituimin e Kuvendit, VV-ja iu përgjigj negativisht përmes heshtjes.
Analistët, por edhe vetë partitë e lartpërmendura, kanë paralajmëruar se, me moskonstituimin e Kuvendit, vendi rrezikon të hyjë në “ujëra të panjohura”.
Ndryshe, seanca konstituive u ndërpre të enjten nga kryesuesi Avni Dehari, me kërkesë të liderit të VV-së, Albin Kurtit.
Ky i fundit kërkoi më shumë kohë për diskutime lidhur me formimin e institucioneve. Edhe vetë deklarimi i Kurtit u kritikua, meqë në seancën konstituive nuk lejohet debat apo diskutim jashtë pikave të rendit të ditës.






