PDK: Zvarritjet e pafundme e kanë kthyer procesin gjyqësor në Hagë në padrejtësi të institucionalizuar

- Advertisement -

Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj lidhur me shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë, raporton Scanner.

 

Kjo vonesë e pajustifikueshme është një dëshmi e radhës e këtij procesi të stërzgjatur, i cili e ka humbur kuptimin e drejtësisë dhe është shndërruar në një proces të ndikuar nga kalkulimet politike.

 

Shtyrja e fundit është një goditje tjetër ndaj besimit tonë në drejtësi dhe një padrejtësi e shtuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej rreth pesë vitesh e gjysmë po mbahen në paraburgim, duke ua shndërruar këtë masë në një dënim të heshtur të imponuar përmes vonesave të përsëritura.

 

PDK i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të drejtësisë që të reflektojnë dhe të mos lejojnë që ky proces të shndërrohet në një shembull të dështimit të drejtësisë ndërkombëtare.

 

PDK mbetet e palëkundur në bindjen për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkon një vendim përfundimtar, pa vonesa të mëtejshme, i cili do të mundësojë rikthimin e tyre në Kosovë.

Të ngjashme

Të fundit