Për fat të keq, edhe një herë po dëshmohet se Albin Kurti e ka vendosur vullnetin partiak mbi Kushtetutën e Republikës dhe interesin partiak mbi interesin shtetëror. Është për keqardhje që një subjekt politik, i cili ka marrë besim nga qytetarët për t’i krijuar institucionet e reja, po e mban peng Republikën e Kosovës për shkak të kalkulimeve të veta politike, duke e zvarritur krijimin e tyre dhe duke prodhuar pasiguri kushtetuese.
Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është çështje interpretimi politik, por themeli i rendit demokratik dhe juridik të shtetit. Prandaj, ashtu si në çdo rast kur është cenuar rendi kushtetues, edhe kësaj radhe PDK nuk do të qëndrojë duarkryq. Mbrojtja e Kushtetutës dhe e shtetit të së drejtës është detyrim ndaj qytetarëve dhe ndaj Republikës së Kosovës.
Kosova ka nevojë për institucione funksionale, stabilitet politik dhe respektim të ligjit. Nuk ka demokraci funksionale aty ku vullneti i një partie vendoset mbi Kushtetutën e Kosovës. Për fat të keq, sot Albin Kurti sërish zgjodhi pikërisht këtë rrugë.






