Në Deçan është organizuar “Panairi i Gështenjës”, një aktivitet tashmë tradicional që synon promovimin e prodhimeve vendore dhe zhvillimin ekonomik të komunës.
Gjatë ceremonisë së hapjes, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, vlerësoi punën e fermerëve të kësaj ane, duke theksuar se përmes angazhimit të tyre po ruhen vlerat dhe traditat e zonës, si dhe po promovohen prodhimet cilësore vendore.
Ramosaj tha se puna e fermerëve është e rëndësishme si për ekonomitë e tyre familjare, ashtu edhe për zhvillimin e komunës në përgjithësi. Ai gjithashtu theksoi se mbështetja për fermerët dhe prodhuesit vendorë do të vazhdojë.
Ndërkaq, fermerët pjesëmarrës janë shprehur të kënaqur me organizimin e panairit, duke vlerësuar mundësinë që u ofrohet për të ekspozuar dhe promovuar prodhimet e tyre bujqësore.
“Panairi i Gështenjës” synon të mbështesë prodhuesit lokalë dhe të ruajë traditën e kultivimit të gështenjës, një prej produkteve që lidhet me identitetin bujqësor të kësaj ane.






