Një fotoreportere e gazetës “The Washington Post” është dërguar në spital, pasi kolonët izraelitë në Bregun e pushtuar Perëndimor i sulmuan atë dhe një grup palestinezësh gjatë vjeljes vjetore të ullinjve.
Fotoreporterja veterane, Heidi Levine, e cila ishte në detyrë në emër të gazetës “The Washington Post”, tha se grupi i palestinezëve me të cilët ndodhej ajo filloi të tërhiqej, kur panë dhjetëra kolonë që po vraponin drejt tyre, raporton televizioni CNN.
Në një video-deklaratë, Levine tha se kolonët e shqelmuan atë, kur ndodhej në tokë. “I kisha çantën e fotoaparatit dhe kuletën me pasaportë si dhe telefonin në një lidhëse përreth qafës dhe ata ma këputën, m’i larguan edhe fotoaparatet, ma larguan çantën dhe vazhdonin të më shqelmonin. Thjesht çmenduri absolute dhe nuk pashë askënd që po mundohej ta ndalte këtë” – tha Levine, e cila vlerësoi se sulmi zgjati dhjetë minuta.
“Nuk di se si një prind mund të rrisë një përbindësh të tillë. Ata nuk janë madje as njerëz dhe po, ata janë terroristë hebrenj. Dhe e dini se çfarë? Fatkeqësisht, asnjëri prej tyre nuk do të ndiqet penalisht. Jam e sigurt për këtë” – shtoi ajo.
Gazeta “The Washington Post” tha se Levine gjatë sulmit kishte të veshura “shenja të dukshme që qartazi e identifikonin si gazetare”. “Ne jemi të indinjuar nga ky sulm i pajustifikuar ndaj një gazetareje që po e bënte punën e saj dhe bëjmë thirrje për një hetim të plotë dhe konkluzion nga autoritetet” – tha gazeta e njohur amerikane.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se ishte duke trajtuar dy njerëz, pasi ata ishin rrahur nga kolonët: një grua 63-vjeçare dhe një burrë 40-vjeçar. Ky sulm është pjesë e një vale sulmesh nga kolonët në fillim të periudhës së vjeljes së ullinjve që banorët i kanë raportuar në mbarë zonën.
Levine u dërgua me nxitim në Spitalin Qeveritar të Ramallahut pas sulmit, ku ndodhet në gjendje stabile, sipas Shoqatës së Shtypit të Huaj (FPA). Në disa fotografi, ajo shihet me fasha në dorë e këmbë, e shtrirë në një shtrat spitali.






