OVL-UÇK i reagon Trendafilovës: Ligjet i miraton Kuvendi, Specialja s’ka pushtet mbi këtë institucion

- Advertisement -

OVL UÇK ka reaguar ndaj kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, pasi që kjo e fundit ka dalë me një video ku flet për pavarësinë e gjykatës, mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave, si dhe “përkushtimin e palëkundur” ndaj sundimit të ligjit të këtij institucioni.

Nga OVL thuhet se, të pretendosh se një gjykatë ka të drejtën e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e saj, është jo vetëm e çuditshme, por edhe qesharake.

‘’ Zonja në fjalë, duhet të dijë se në Kosovë, ligjet i miraton Kuvendi. Vet Dhomat e Specializuara ekzistojnë sepse u krijuan nga Kuvendi, andaj ato nuk kanë pushtet mbi institucionin që i themeloi.’’, thuhet nga OVL.

Postimi i plotë:

Të pretendosh se një gjykatë ka të drejtën e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e saj, është jo vetëm e çuditshme, por edhe qesharake. Këto pretendime i lexuam në komunikatën e znj. Trendafilova.

Zonja në fjalë, duhet të dijë se në Kosovë, ligjet i miraton Kuvendi. Vet Dhomat e Specializuara ekzistojnë sepse u krijuan nga Kuvendi, andaj ato nuk kanë pushtet mbi institucionin që i themeloi.

Trendafilova duhet ta dijë se t’i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit, përderisa e trajton interpretimin personal si të padiskutueshëm, është arrogancë. Kritika ndaj vendimeve gjyqësore është e drejtë legjitime dhe nuk do të heqim dorë prej saj. Asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta fshijë të vërtetën se Lufta Çlirimtare ishte e drejtë.

Lirinë e Kosovës e fituan ata që u ngritën kundër gjenocidit, dhe shtetësia e Kosovës qëndron mbi sakrificën e tyre. Andaj, gjykatat asnjëherë nuk duhet të shndërrohen në institute historie, por duhet që me dinjitet e profesionalizëm ta kryejnë punën për të cilën janë mandatuar. Fatkeqësisht, në rastin e Dhomave të Specializuara kanë munguar që të dyja, edhe dinjiteti, edhe profesionalizmi.

Të ngjashme

Të fundit