Futbollisti i Prishtinës, Rin Ahmeti e ka fituar epitetin e më të mirit për xhiron e fundit në Superligën e Kosovës.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të martën ka njoftuar se Ahmeti është shpallur “Ylli i Javës”, çmim ky që ndahet për lojtarin me paraqitjen më të mirë pas secilës xhiro.
Vleresimin për çmimin “Ylli i Javës”, e ka bërë Komisioni i Veteranëve të futbollit, i cili ka konfirmuar paraqitjen e mirë të Ahmetit në xhiron e dhjetë.
Ahmeti ia siguroi Prishtinës fitoren 1:0 në udhëtim te Ballkani, falë golit të shënuar në pjesën e dytë kurse gjatë 80-të minutave sa ishte në fushë pati paraqitje të mirë, për të cilën edhe u vlerësuar.
“Pas ndeshjeve të xhiros së dhjetë, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Prishtina, Rin Ahmeti, i cili ishte vendimtar në fitoren e rëndësishme të skuadrës së tij në udhëtim ndaj FC Ballkanit në Suharekë”, ka shkruar FFK.
Me tri pikët e fituara në Suharekë, Prishtina është rikthyer te fitorja në Superligë pas dy barazimeve rresht dhe mbetet ekipi i vetëm që ende nuk ka pësuar humbje në sezonin aktual të elitës së futbollit kosovar.






