Këshilli i Përgjithshëm 99 anëtarësh i Lidhjes Demokratike të Kosovës të shtunën vendos “me votim formal,” kthimin ose jo të Vjosa Osmanit në listën e vet zgjedhore.
Dhe atë, si prijëse.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi zyrtarisht se Osmani tashmë jo vetëm që ka vend kthimi në këtë parti nga ku ishte larguar, por edhe të kryesojë listën e saj.
Por, për këtë gjë, duhet konkretizuar dhe konsumuar edhe çështjet procedurale statutore.
Këshilli i Përgjithshëm, sipas Statutit të kësaj, ka kompetencë të saj të vendos për “për koalicionet para dhe pas zgjedhore në nivel qendror,” (Neni 24.1) dhe “me propozim të Kryesisë së LDK-së, përcakton Kandidatin për President dhe për Kryeministër nga radhët e LDK-së.” (Neni 24.1)
Abdixhiku dje për gazetarë tha se “nuk e ka fare problem” që Vjosa Osmani të jetë edhe bartëse e listës zgjedhore dhe se “do të ishte kandidatja e shkëlqyeshme për presidente”; gjëra që duhet proceduralisht të konfirmohen nga ky organ 99 anëtarësh.
“I njoftova edhe Kryesinë edhe kryetarët e degëve me procesin e deritanishëm. Votuam dhe u dakorduam që të formalizojmë tash e tutje, në bashkëpunim me Vjosa Osmanin, garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme”, tha Abdixhiku dje për gazetarë.
“Më jepni edhe disa ditë t’i finalizoj diskutimet edhe me zonjën Osmani, për të përfunduar në një votim formal në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm”, u shpreh ai.
Ndërkohë dy nga figurat kyçe të LDK-së, Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, nuk morën pjesë dje në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së nga ku u kumtua ky vendim i Abdixhikut.
Dy zyrtarët e LDK-së s’e kanë fshehur asnjëherë mospajtimin e tyre për kthimin e Vjosa Osmanit, ndërsa Abdixhiku thotë se “LDK është unike, dhe i respekton vendimet e shumicës (së vet).”
Lidhja Demokratike e Kosovës në dy palë zgjedhjete e fundit nacionale u ngrit pak dhe ra sërish ku ishte: në 13%.
Pamjaftueshmëria elektorale e saj supozohet të ‘amandamentohet’ me kthimin e Osmanit. Emrin, LDK-ja, këtij ribashkimi, ia ka lënë: “ribashkimi i së djathtës.”
Gazeta ‘Nacionale’ ka kuptuar se Lumir Abdixhiku veçse ua ka kumtuar anëtarëve të kryesisë se kush do të vijë me Osmanin si pjesë të listës zgjedhore nga ana e saj.
Kuptojmë se janë kryesisht ithtarë të kahershëm të Osmanit si Haxhi Avdyli, Burim Meta, Bardhyl Hasanpapaj, Meliza Haradinaj, Eqrem Kryeziu, Dardan Bibaj, Albena Reshitaj. Ndërkohë nuk dihet nëse Jeta Statovci do të kalojë nga ana e Vjosa Osmanit prej Guxo-s.
Se në çfarë modaliteti do të ndodh ky “ribashkim” ende nuk është saktësuar dhe pritet të konkretizohet të shtunën.
Abdixhiku ka thënë se “do të punoj deri në momentin e fundit” për kthimin e Osmanit.
Vjosa Osmani, është pyetur dje nga gazetarë lidhur me kandidimin e saj me listën e LDK-së.
Osmani u shpreh se “nuk është mirë të spekulohet” dhe se nuk ka kërkuar kurrë ndonjë pozitë politike.
“Nuk është mirë me spekulu. Unë nuk kam kërkuar kurrë asnjë pozitë nga askush”, tha Osmani.
“Do të jem para qytetarëve, deri sot në të gjithë angazhimin tim politik janë ata që ma kanë dhënë forcën dhe edhe tash e tutje do të jetë njësoj”, tha ajo.






