Ish-ambasadori i Kosovës, Blerim Canaj, ka shprehur skepticizëm për unitetin politik të partive në Kosovë rreth nismës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, duke thënë se mbetet të shihet se sa i sinqertë është një bashkim i tillë.
Duke folur në emisionin Five të TV Dukagjinit, Canaj ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të duhej të ishte një vlerë që i bashkon të gjitha subjektet politike, e jo vetëm Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Kosovës.
Megjithatë, ai ka theksuar se qëndrimin e tij skeptik e mbështet në mënyrën se si kanë vepruar partitë politike në të kaluarën, gjatë etapave që çuan deri te themelimi i Gjykatës Speciale dhe përgjatë procesit të saj.
“Do të ishte shumë logjike dhe shumë e arsyeshme që UÇK-ja t’i bashkonte të gjitha subjektet politike, jo vetëm VV-në dhe PDK-në. Mirëpo, pyetja është se sa i sinqertë do të ishte një bashkim i tillë, kur flasim pikërisht për këtë temë”, ka deklaruar Canaj.
Ai ka thënë se, duke pasur parasysh zhvillimet e mëparshme dhe mënyrën se si është trajtuar çështja e Gjykatës Speciale, ka arsye të jetë skeptik për këtë proces.
Canaj ka theksuar se do të vazhdojë të mbajë këtë qëndrim derisa të shohë hapa konkretë dhe rezultate nga nisma e re ligjore.
Deklaratat e tij vijnë pas dakordimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesve të PDK-së për hartimin e një drafti të ri të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se nisma gëzon unitet politik e qytetar, ndërsa ka bërë të ditur se drafti i ri do të procedohet në Kuvend brenda javës.






