Memli Krasniqi viziton Kadri Veselin në Hagë: “Po i numërojmë ditët deri në kthimin e tyre”

- Advertisement -

Ish-kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një tjetër vizitë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku ka takuar ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, shkruan Scanner.

Përmes një reagimi publik, Krasniqi ka theksuar se, pavarësisht viteve të gjata dhe sfidave të procesit gjyqësor, Veseli dhe bashkëluftëtarët e tij vazhdojnë të ruajnë dinjitetin, qetësinë dhe besimin në drejtësi.

“Ai mbetet i fortë në bindjet e tij, me dashuri të pashuar për Kosovën dhe me mall të madh për njerëzit dhe vendin e vet,” ka shkruar Krasniqi, duke shtuar se pritja e gjatë dhe shtyrjet e vazhdueshme të vendimit e bëjnë këtë proces edhe më të vështirë.

Krasniqi ka ritheksuar besimin në pafajësinë e tyre dhe ka kërkuar që procesi të përmbyllet sa më shpejt me një vendim të drejtë dhe përfundimtar.

“Po i numërojmë ditët deri në kthimin e tyre aty ku përkasin – në atdheun e tyre, pranë familjeve dhe popullit të Kosovës,” ka përfunduar ai, duke përcjellë edhe përshëndetjet e Veselit dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Postimi i plotë:

Sot, një tjetër vizitë në Hagë, për ta takuar Kryetarin Kadri Veseli. Edhe pas gjithë këtyre viteve të gjata e të vështira, ai dhe bashkëluftëtarët e tij vazhdojnë ta mbajnë lart dinjitetin, qetësinë dhe besimin në drejtësi.

 

Si gjithmonë, i fortë në bindjet e tij, me dashuri të pashuar për Kosovën dhe me mall të madh për njerëzit dhe vendin e vet. Kjo pritje e gjatë nuk është e lehtë për askënd, sidomos kur vendimi vazhdon të shtyhet dhe procesi zvarritet pafundësisht.

 

Ne vazhdojmë të besojmë fuqishëm në pafajësinë e tyre dhe në të drejtën që ky proces të marrë fund sa më parë, me një vendim të drejtë, të pa ndikuar dhe përfundimtar.

Po i numërojmë ditët deri në kthimin e tyre aty ku përkasin: në atdheun e tyre, pranë familjeve dhe popullit të Kosovës. Deri atëherë, keni të fala të gjithë nga Kryetari dhe shokët e tij!

Të ngjashme

Të fundit