.
Të premten, ekipet mbrojtëse të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dorëzojnë para Apelit njoftimin për apelim të vendimit të shkallës së parë.
Presidentja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka caktuar javë më parë panelin e apelit në përbërje të Michèle Picard, Kai Ambos dhe Nina Jørgensen.
Të tre këta gjyqtarë kishin qenë pjesë e Apelit edhe në rastin e Salih Mustafës dhe të Pjetër Shalës.
Historia e këtyre rasteve tregon se vendimet nuk janë përmbysur në tërësi, deri në pafajësi të plotë, por vetëm janë ulur dënimet.
Pasi mbrojtja e krerëve të UÇK-së ta ketë bërë njoftimin për apelim, sipas Rregullores së Procedurës dhe të Provave, brenda 60 ditësh duhet ta dorëzojë Dosjen Finale të Apelit, dokumentin e detajuar të pikave që apelon mbrojtja, bashkë me kundërshtimet për secilën prej tyre. Për dorëzimin e njoftimit për apel, për shkak të lëndës së madhe – një aktgjykimi prej mbi 2 mijë faqesh, mbrojtja kërkoi afat shtesë, nga 30 ditë sa kishte sipas Rregullores, dhe kjo iu aprovua.
Duke marrë parasysh këtë fakt, a do të ndodhë njëjtë edhe me Dosjen Finale, që në vend të 60 ditëve të ketë afat më të gjatë për dorëzimin e saj?
Rivendosjet për Mustafën
Në shkallën e parë, Salih Mustafa ishte dënuar me 26 vjet burgim dhe Apeli ia uli dënimin në 22 vjet.
Por, Mustafa çështjen e dërgoi në Supreme dhe kjo e fundit ia ktheu Apelit çështjen në rivendosje, duke vlerësuar se kishte gabime në përllogaritjen e dënimit të përmbledhur.
Sipas Supremes, dënimi ishte në disproporcion me praktika të ngjashme gjyqësore.
Kështu, Apeli më pas vendosi që dënimi në total për Salih Mustafën të jetë 15 vjet, duke llogaritur edhe kohën e paraburgimit.
Por sa kohë mori nga vendimi i shkallës së parë deri te vendimi i Apelit?
Vendimi i shkallës së parë u dha më 16 dhjetor 2022.
Pasi Mustafa u ankua në Apel, vendimi u dha më 14 dhjetor 2023, pra kaluan gjithsej 11 muaj e 28 ditë deri te vendimi i parë i Apelit.
Mustafa u ankua në Supreme për vendimin e Apelit që dënimi t’i ulej nga 26 në 22 vjet.
Më 29 korrik 2024, Paneli i Gjykatës Supreme anuloi aktgjykimin e Apelit vetëm sa i përket masës së dënimit dhe e ktheu çështjen në Apel për rivlerësim.
Më 10 shtator 2024, i njëjti Panel i Apelit caktoi një dënim të vetëm prej 15 vjetësh burgim, vendim i cili më pas u la në fuqi nga Gjykata Supreme më 25 shkurt 2025.
Rasti Shala
Më 16 korrik 2024, shkalla e parë e dënoi Pjetër Shalën me 18 vjet burgim për krime lufte. Shala u ankua në Apel dhe kjo shkallë vendosi më 14 korrik 2025, duke e ulur dënimin nga 18 në 13 vjet burgim.
Nga vendimi i shkallës së parë deri te vendimi i Apelit edhe për Shalën kaluan 11 muaj e 28 ditë.
Shala u ankua më pas edhe në Supreme dhe në Kushtetuese, por pretendimet e tij u rrëzuan nga këto instanca.
Nëse merret parasysh praktika në këto raste, krahasuar me volumin e lëndës, ka gjasa që deri te vendimi i Apelit për rastin e krerëve të UÇK-së të kalojë më shumë se një vit.
Vëllimi i lëndës ka ndikuar edhe në kohën që iu desh Trupit Gjykues për të shpallur aktgjykimin pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse të palëve.
Në rastin e Mustafës, verdikti u shpall 92 ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, ndërsa në rastin e Pjetër Shalës pas 90 ditësh.
Ndërkaq, në rastin e krerëve të UÇK-së, pritja zgjati 210 ditë, nga 18 shkurti deri më 16 shtator 2026.
Aktgjykimi sekret
Më 16 shtator 2026, Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqi po ashtu me 25 vjet burgim, ndërkaq Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Më 17 nëntor 2026, në çështjen e veçantë për vepra kundër administrimit të drejtësisë, Hashim Thaçi u dënua me 17 muaj burgim shtesë, të cilët vuhen veçmas nga dënimi prej 25 vjetësh për krime lufte.
Kanë kaluar 68 ditë nga vendimi dënues ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, por publiku ende nuk e ka lexuar aktgjykimin e plotë, arsyetimin e tij dhe provat mbi të cilat është mbështetur.
Mbrojtja, e indinjuar nga dënimi me gjithsej 81 vjet burgim për katërshen e UÇK-së, por edhe nga një proces i kontestuar gjerësisht për shkelje dhe anshmëri, ka kërkuar që provat dhe arsyetimi i vendimit të bëhen publike sa më shpejt.
Në një përgjigje për VOX Kosova, zyrtarë të Dhomave të Specializuara nuk kanë dhënë një datë të caktuar apo një afat të përafërt se kur mund të publikohet për publikun aktgjykimi prej mbi 2 mijë faqesh.
“Versioni publik i redaktuar i aktgjykimit të plotë është duke u përgatitur me shpejtësi, duke u siguruar që sa më shumë informacione të bëhen publike, njëkohësisht duke garantuar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave. Versioni i plotë publik i redaktuar i aktgjykimit do të publikohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë zëdhënësi Michael Doyle.
“Gjatësia e aktgjykimit dhe hapat përkatës proceduralë mund të ndikojnë në kohën e publikimit të tij… Nuk ka asnjë shtyrje. Trupi Gjykues po përcakton afatet kohore për të siguruar që ky proces të zhvillohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, njëri nga gjyqtarët e trupit gjykues në rastin e krerëve të UÇK-së, Guénaël Mettraux, ka aplikuar për një pozitë gjyqtari në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
VOX Kosova e ka pyetur Gjykatën Speciale nëse procesi i votimit që pritet të mbahet së shpejti mund të jetë faktor në vonesën e publikimit të aktgjykimit, me qëllim të shmangies së polemikave para votimit.
“Çështjet që nuk kanë të bëjnë me procedurat gjyqësore në këtë rast nuk kanë asnjë ndikim në kohën e publikimit të aktgjykimit apo në ndonjë vendim tjetër të Trupit Gjykues”, ka thënë zëdhënësi Michael Doyle.
Gjykata Speciale është kritikuar vazhdimisht për mungesë transparence dhe mbyllje të theksuar të procesit gjyqësor, si në seanca, ashtu edhe në qasjen ndaj dokumenteve dhe provave.
Kjo mungesë transparence është vënë në pah edhe nga vetë të akuzuarit dhe ekipet e tyre mbrojtëse, të cilët e kanë cilësuar procesin ndaj krerëve të UÇK-së si një “gjykim sekret”.
Shteti dhe Apeli
Teksa ditët kalojnë drejt apelit, Kosova ka ndërmarrë dy nisma, por asnjëra nuk është konkretizuar ende.
Hesapet dhe dallimet politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës kanë bërë që gjërat të zvarriten.
Një ligj i ri për Dhomat e Specializuara u miratua më 6 tetor si pjesë e marrëveshjes për zgjedhjen e presidentit.
Presidentja e ktheu me kërkesë të PDK-së, pasi u konstatua gjerësisht se kishte gabime dhe shkelje të qarta kushtetuese.
Palët u pajtuan që procedura për miratimin e tij në Kuvend, pas kthimit nga presidentja, të zhvillohej duke e lënë që ligji i vjetër të mos miratohej më në Kuvend, por këtë javë, siç ka paralajmëruar kryeministri Kurti, të vijë në Kuvend një ligj i ri.
Bashkë me të, po përgatitet edhe një strategji shtetërore për përballjen në Apel.
Të dy këto dokumente po hartohen nga një komision ku bëjnë pjesë të gjitha partitë dhe që udhëhiqet nga ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca.
Detaje të strategjisë nuk janë bërë publike, pasi puna e komisionit është konsideruar konfidenciale.
Nga ana tjetër, shteti ka vendosur të rrisë mbështetjen për avokatët, diçka që këto 6 vjet kishte tentuar ta kufizojë. /VOX






