Narracioni i gabuar i arsyetimit të gjyqtarit Charles l. Smith III, kryetar i trupit gjykues

- Advertisement -

Shkruan: Arsim Bajrami

Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit përbën një zhvillim me rëndësi të veçantë për rendin juridik, jetën institucionale dhe kujtesën historike të Republikës së Kosovës. Aktgjykimi i 16 shtatorit 2026 i shpalli të akuzuarit fajtorë për katër vepra penale të krimeve të luftës dhe shqiptoi dënime individuale ndaj tyre. Duke qenë aktgjykim i shkallës së parë, ai i nënshtrohet mjeteve juridike të parashikuara nga kuadri juridik i Dhomave të Specializuara dhe, për rrjedhojë, çështja mbetet objekt i shqyrtimit të mëtejshëm gjyqësor.

Pas kontestimit të kualifikimit, sipas pikëpamjes sonë të padrejtë, të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” në shkrimin paraprak, sot shkrimi i 4-të me radhë , do të fokusohet në një segment tjetër të kësaj kritike: tendencën për ndryshimin e narracionit historik të luftës së UÇK-së dhe mungesën e dallimit të qartë ndërmjet gjenocidit dhe krimeve të kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë shqiptare dhe luftës çlirimtare e mbrojtëse të UÇK-së.Arsyetimi i gjyqtarit Charles L. Smith III, kryetar i Trupit Gjykues, me rastin e shqiptimit të aktgjykimit ndaj krerëve të UÇK-së, ngre një shqetësim serioz për mënyrën se si është paraqitur konteksti politik dhe historik i luftës së Kosovës.

Është veçanërisht shqetësuese që vetë gjyqtari Smith, në ekspozimin e tij, deklaroi “se nuk po paragjykonte çështjen nëse lufta për pavarësinë e Kosovës ishte apo jo e ligjshme”. Ky është një pohim i rëndësishëm. Por pikërisht për këtë arsye lind pyetja: nëse ligjshmëria e luftës për pavarësi nuk ishte objekt i vlerësimit të tij, pse në ekspozimin publik nuk u paraqit me peshën e duhur konteksti historik që e solli atë luftë dhe qëllimi politik e çlirimtar i saj?

Kjo pyetje bëhet edhe më domethënëse kur kujtojmë se, vetëm disa qindra metra larg nga vendi ku u bë ky ekspozim, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ishte konfirmuar se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Pra, historia juridike ndërkombëtare e Kosovës nuk mund të shkëputet nga konteksti i luftës, çlirimit dhe procesit që çoi drejt pavarësisë.

Në ekspozen e gjyqtarit Smith mungon trajtimi i mjaftueshëm i represionit të regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës, i mohimit të të drejtave politike e kushtetuese dhe i dhunës që i parapriu dhe e shoqëroi luftën. Mungon gjithashtu një trajtim i denjë i gjenocidit, dhunës dhe krimeve të forcave serbe ndaj popullsisë civile shqiptare. Këto nuk janë rrethana dytësore, por elemente themelore për të kuptuar pse dhe në çfarë rrethanash u zhvillua lufta e Kosovës.

UÇK-ja nuk lindi në vakum. Ajo u shfaq në rrethana të një represioni të gjatë dhe të mohimit të të drejtave themelore të shqiptarëve të Kosovës. UÇK-ja ishte një guerilë patriotike shqiptare që zhvilloi luftë mbrojtëse dhe çlirimtare, duke u përballur me aparatin shtetëror, policor dhe ushtarak serb dhe duke e mbrojtur popullsinë shqiptare nga gjenocidi, dhuna dhe represioni. Qëllimi i saj politik ishte çlirimi i Kosovës dhe realizimi i aspiratës së saj për liri dhe pavarësi.

Pikërisht për këtë arsye është problematike që në ekspozimin e gjyqtarit Charles L. Smith III të mos zërë vendin e duhur shkaku i luftës, represioni paraprak, dhuna ndaj popullsisë shqiptare, karakteri politik i saj dhe roli i UÇK-së në përpjekjen për çlirimin e Kosovës.Duhet bërë një dallim themelor: përgjegjësia individuale penale është një çështje, ndërsa përshkrimi historik i luftës është një çështje tjetër. Këto dy plane nuk duhet të ngatërrohen dhe as njëri të përdoret për ta zbehur tjetrin.

Një qasje e përqendruar kryesisht në krimet e atribuuara pjesëtarëve të UÇK-së, pa e vendosur këtë në kuadrin historik të represionit serb dhe të luftës çlirimtare, sidomos për njerëzit që nuk e njohin në thellësi historinë e Kosovës, mund të krijojë një narracion të gabuar historik.Nëse nga fotografia hiqet represioni serb, dhuna ndaj popullsisë shqiptare dhe shkaku i luftës, mund të krijohet përshtypja e gabuar se UÇK-ja ishte burimi kryesor i dhunës dhe se lufta e Kosovës nuk kishte një shkak historik e politik.Ky do të ishte një përmbysje serioze e perspektivës historike të luftës së Kosovës.

Për të kuptuar një luftë nuk mjafton të thuhet vetëm çfarë ka ndodhur gjatë saj. Duhet të shpjegohet edhe pse ka filluar, çfarë represioni e ka paraprirë, ndaj kujt është ushtruar dhuna dhe cili ka qenë qëllimi politik i forcave që kanë marrë armët.Në këtë kuptim, nuk mund të barazohen në një narracion të vetëm krimet e kryera nga aparati shtetëror serb ndaj popullsisë shqiptare me luftën çlirimtare dhe mbrojtëse të UÇK-së. Edhe nëse gjykimi penal ka një objekt të përcaktuar juridikisht, historia e luftës kërkon të bëhet dallimi ndërmjet represionit dhe rezistencës, ndërmjet dhunës shtetërore dhe luftës për çlirim.Për më tepër, përgjegjësit për krimet e kryera nga aparati shtetëror serb ndaj popullsisë së Kosovës nuk ishin objekt i këtij procesi gjyqësor. Kjo është një rrethanë që duhet të merret parasysh kur vlerësohet ndikimi që një narracion i tillë mund të ketë në perceptimin publik të historisë së luftës.

Prandaj, kritika ndaj ekspozimit të gjyqtarit Charles L. Smith III nuk është se një gjykatë nuk duhet të trajtojë përgjegjësinë e eventuale individuale penale. Kritika është se, kur paraqitet para opinionit një narracion mbi luftën e Kosovës, nuk mund të lihet në hije konteksti i saj themelor politik dhe historik.Lufta e Kosovës nuk filloi me UÇK-në dhe UÇK-ja nuk ishte shkaku i saj. Ajo u shfaq si përgjigje ndaj një politike të gjatë gjenocidale dhe represive dhe zhvilloi luftë për çlirimin dhe mbrojtjen e Kosovës.Për këtë arsye, çdo përpjekje për ta shkëputur UÇK-në nga ky kontekst rrezikon të prodhojë një narracion të deformuar të historisë së Kosovës.

Në këtë kontekst, ekziston një shqetësim serioz se interpretimet e caktuara të kontekstit historik të luftës, nëse shkëputen nga tërësia e fakteve dhe zhvillimeve që e karakterizuan Kosovën, mund të prodhojnë një narrativë të reduktuar të historisë së saj dhe të krijojnë premisa për rishikimin e njëanshëm të periudhës së luftës dhe të procesit të shtetndërtimit. Një rrezik i tillë duhet trajtuar si çështje e interesit të përgjithshëm shtetëror dhe historik.

Historia e Kosovës dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të studiohen në tërësinë e tyre: në raport me represionin sistematik, gjenocidin e Serbisë ndaj popullsisë shqiptare, luftën çlirimtare, shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, ndërhyrjen ndërkombëtare, administrimin ndërkombëtar dhe procesin juridik e politik që çoi në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Asnjë dimension i kësaj historie nuk mund të shkëputet artificialisht nga tërësia e saj.

Kjo qasje e gabuar e luftës në Kosovë duhet të rëzohet me një mobilizim të gjerë të ekspertizës akademike shqiptare dhe ndërkombëtare. AShAK-u, universitetet dhe institutet kërkimore duhet të kontribuojnë, në përputhje me kompetencat dhe autonominë e tyre akademike, në studimin e burimeve historike, juridike dhe dokumentare që lidhen me luftën e Kosovës, duke krijuar një bazë të fuqishme shkencore për kuptimin e kontekstit historik në të cilin kanë ndodhur ngjarjet.

Drejtësia kërkon vlerësimin e fakteve dhe përgjegjësisë eventuale individuale; historia kërkon tërësinë e saj. Asnjëra nuk duhet të shkëputet nga konteksti.

Prishtinë, 9 tetor, 2026.

Vijon

Të ngjashme

Të fundit