Zëvëndëskryetari i komunës Wylie në Teksas, Gjino Mulliqi i ftuar në “Edicionin Special” në Klan Kosova komentoi rezolutat e fundit të prezantuara në kongresin amerikan ku u kërkua mbështetja e anëtarësimit të Kosovës në NATO si dhe vazhdimi i misionit të trupave amerikane në KFOR.
Mulliqi tha se kongresistët amerikanë e shohin Kosovën si pjesë vitale të Ballkanit Perëndimor.
“Si shqiptarë amerikan, pjesa kryesore e jona që kemi bërë në vitet e fundit ka qenë një avancim një rishqyrtim i kongresit amerikan në rëndësinë e trupave amerikane dhe futja e Kosovës në NATO dhe rritja e trupave amerikane në Kosovë. Kongresistët amerikanë e shohin Kosovën si pjesë vitale të Ballkanit Perëndimor dhe një ndër shtyllat e sigurisë të Ballkanit Perëndimor duke e njohur Serbinë që ka shkaktuar trazira që nga vitet e 70-ta, qoftë në Kosovë qoftë në Bosnje apo pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor. Është një shtyerje tash e sa kohë që po mundohemi të bisedojmë me kongresistë të ndryshëm”, tha fillimisht ai.
Tutje, ai shtoi se kongresisti Keith Self së bashku me kongresistë të tjerë po punojnë me qeveritë evropiane si dhe Administratën Trump në mënyrë që Kosova të futet në NATO.
“Siç po e shihni Keith Self që është nga Teksasi nga vendi edhe ku jetoj, ne dhe punojmë në një organizatë “Albanians For America” këtu në Teksas që po punon ngushtë me kongresistë të ndryshëm bashkë me kongresistin Keith Self, janë duke punuar në shtyerjen e Kosovës në NATO qoftë në takime të ndryshme me qeveri të ndryshme edhe nga Greqia edhe nga Spanja dhe qeveri të ndryshme në Evropë, qoftë me kongresistë dhe Administratën e Presidentit Trump që kjo të ndodhë sa më shpejtë”, shtoi Mulliqi.






